Zelensky për vizitë në Rumani, zhvillon bisedime për sigurinë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën po zhvillon një vizitë zyrtare në Rumani, e para në vendin fqinj që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar.
Zelensky u prit në Pallatin Cotroceni nga homologu rumun, Klaus Iohannis, dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë rumunë para se të fillonin bisedimet mes dy palëve, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
“Ukraina është mirënjohëse për përkrahjen e Rumanisë, që e fuqizon shtetin tonë, si dhe për solidaritetin e saj konstruktiv, që u mundëson vendeve tona që të jenë dhuruese të sigurisë për botën, sidomos në sigurinë e ushqimit”- shkroi Zelensky në rrjetin X.
“Rumania është mike që na doli në ndihmë në ditën tonë më të errët dhe përkrahja e së cilës bëhet më e fortë me kalimin e kohës. Jam i sigurt se kjo vizitë do të jetë e dobishme për të dyja vendet tona”- shtoi presidenti ukrainas.
Rumania është përmendur si vend i mundshëm për një qendër të trajnimit të pilotëve ukrainas për t’i përdorur aeroplanët luftarakë amerikanë të tipit F-16.
Që nga tërheqja e Rusisë nga marrëveshja për eksportimin e drithit nëpër Detin e Zi në korrik, Ukraina i ka shfrytëzuar portet e saj, Reni dhe Izmayil, në brigjet e Lumit Danub, në kufi me Rumaninë, për të dërguar eksporte ushqimore në portin rumun të Detit të Zi, Constanta.
Rusia ka kryer disa sulme me dronë në Reni dhe Izmayil, duke dëmtuar objekte e depo të drithit, ndërsa disa copëza dronësh kanë rënë në territorin e Rumanisë, duke i shqetësuar banorët e zonës kufitare, edhe pse nuk është raportuar për persona të lënduar apo dëme materiale.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës thanë të martën se përmes sistemit të mbrojtjes ajrore u rrëzuan 26 dronë të prodhimit iranian, të hedhur nga Rusia natën e kaluar në tri rajone jugore ukrainase.
