Zelensky në Hagë: Të gjithë duam të shohim një Vladimir tjetër këtu
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur një fjalim në Hagë, ku ndodhet Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila ka lëshuar fletarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin.
Duke folur në gjuhën angleze, me një mbishkrim “Nuk ka paqe pa drejtësi për Ukrainën”, ai e shprehur mirënjohjen e tij për vëmendjen e nikoqirëve dhe për respektin ndaj vendit të tij e ndaj atyre që “e çmojnë lirinë dhe nuk e durojnë tiraninë”, raporton telelvizioni BBC.
Duke iu referuar presidentit rus e duke e krahasuar me veten, Zelensky tha: “Ne të gjithë duam që të shohim një Vladimir tjetër këtu.”
Sipas tij, Putini është “ai që e meriton që të dënohet për veprime kriminale në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare”. “Jam i sigurt se do ta shohim këtë duke ndodhur, kur ne të fitojmë”- shtoi Zelensky.
“Nëse shikoni cilëndo luftë agresioni, ato të gjitha kanë një gjë të përbashkët: autori i luftës nuk besonte se do të duhej të përgjigjeshin për atë që e kishin bërë”- tha presidenti ukrainas.
Ai tha se rusët kanë kryer 6.139 krime lufte vetëm gjatë muajit prill. Sipas Zelenskyt, këto krime e kanë shkaktuar vdekjen e 207 civilëve ukrainas, përfshirë 11 fëmijë.
Zelensky e përmendi një sulm në Kherson të mërkurën, ku u vranë 23 persona dhe u plagosën 49 të tjerë.
Presidenti ukrainas bëri përsëri thirrje që të formohet një tribunal për gjykimin e krimeve të luftës, duke e përmendur procesin e Nurembergut, gjatë të cilit forcat triumfuese I kishin gjykuar përfaqësuesit e Gjermanisë së mposhtur naziste.
Ai shtoi se do të ishte e padrejtë që gjeneratave të ardhshme t’u jepen probleme që ne nuk mund t’i zgjidhim. Zelensky tha se gjykatat ukrainase do të sigurohen që pushtuesit rusë ta marrin përgjegjësinë për shumicën e krimeve të tyre, duke e falënderuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për të cilën tha se është duke punuar për drejtësi.

