Zelensky e mohon pretendimin e Rusisë për përpjekjen për ta vrarë Putinin - NACIONALE

Zelensky e mohon pretendimin e Rusisë për përpjekjen për ta vrarë Putinin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka mohuar pretendimet e Rusisë se vendi i tij ishte i përfshirë në një sulm me dron në Kremlin me qëllim të vrasjes së presidentit rus, Vladimir Putin.

Zelensky të mërkurën tha: “Ne nuk i sulmojmë Putinin ose Moskën, ne luftojmë në territorin tonë dhe i mbrojmë qytezat e qytetet tona. Ia lëmë këtë tribunalit”- raporton gazeta “The Guardian".

Ai e dha këtë koment gjatë vizitës në Helsinki të Finlandës, ku tha se Ukraina do të nisë një kundërsulm ndaj forcave ruse së shpejti.

Edhe këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak, e mohoi përfshirjen e Ukrainës në sulmin e pretenduar nga Rusia, duke thënë se ky rast ishte rezultat i “forcave lokale të rezistencës”.

“Ukraina zhvillonë luftë ekskluzive mbrojtëse dhe nuk i sulmon caqet në territorin e Federatës Ruse”- shkroi ai në një rrjet social.

Kremlini tha të mërkurën se dy dronë janë përdorur në sulmin e pretenduar, por se ata janë penguar nga mbrojtja ruse. Rusia ka thënë se e rezervon të drejtën për të ndërmarrë masa hakmarrëse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putini nuk ndodhej në Kremlin në momentin e sulmit të pretenduar. Ai shtoi se presidenti rus do ta kalonte ditën në rezidencës shtetërore “Novo-Ogaryovo”, afër Moskës.

Disa orë më vonë, sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan në Kiev për të katërtën herë në shtatë ditët e fundit, ndërsa në qytetin Odesa, në jug të Ukrainës, u dëgjuan shpërthime. Ambasada e ShBA-së në Ukrainë i paralajmëroi shtetasit amerikanë se ka kërcënim të vazhdueshëm e të ngritur për sulme me raketa, përfshirë Kievin dhe rajonin e Kievit.

Lajme të ngjashme