Zelensky i kërkon përsëri Perëndimit armë të avancuara - NACIONALE

Zelensky i kërkon përsëri Perëndimit armë të avancuara

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsëri u bëri thirrje udhëheqësve perëndimorë të hënën për t’i dhënë vendit të tij armë më të avancuara për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë. Ai, gjithashtu, e përsëriti thirrjen që forcat ruse të tërhiqen nga territoret e pushtuar deri për Kërshëndella.

Gjatë një video-konference, Zelensky u tha udhëheqësve të Gjermanisë dhe të shteteve të tjera të Grupit G7: “Do të ishte gjë e duhur që të fillojë tërheqja e trupave ruse nga territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës në këto Kërshëndella. Nëse Rusia i tërheq trupat e saj nga Ukraina, atëherë një ndërprerje e besueshme e armiqësive do të sigurohet.”

Ai shtoi: “Përgjigjja nga Moska do të tregojë se çfarë duan ata vërtet këtu: ose një ballafaqim të mëtejmë me botën, ose, përfundimisht, përfundim të agresionit.”

Udhëheqësit e vendeve të Grupit G7 e përkrahën thirrjen e presidentit ukrainas, duke thënë në një deklaratë pas takimit të tyre se “Rusia mund t’i japë fund menjëherë kësaj lufte duke i ndërprerë luftimet kundër Ukrainës dhe duke i tërhequr plotësisht e pa kushte forcat e saj nga territori i Ukrainës”.

Kremlini i ka refuzuar të gjitha kërkesat e mëhershme për t’i lëshuar tokat e pushtuara në Ukrainë dhe nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës më të re, raporton agjencia “Associated Press”, përcjell gazeta Nacionale.

Ukraina dhe Rusia nuk kanë zhvilluar bisedime të paqes së fundi dhe luftës nuk po i shihet fundi. Konflikti ka hyrë në muajin e dhjetë dhe ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima e dëme të mëdha materiale.

Gjatë fjalimit të tij për Grupin G7, presidenti ukrainas bëri thirrje që Ukrainës t’i dhurohen raketa me rreze të gjatë veprimi, tanke moderne, artileri, bateri raketore e sisteme për mbrojtje kundërajrore të teknologjisë së lartë për t’u bërë ballë sulmeve ruse, që kanë shkaktuar ndërprerje të rrymës dhe furnizimit me ujë për miliona ukrainas. “Fatkeqësisht, Rusia ende ka një epërsi në artileri dhe raketa”- tha Zelensky.

Kryeministri i Ukrainës, Densy Shmyhal, i tha televizionit francez, LCI, se përpos shkaktimit të vuajtjeve në Ukrainë, Rusia dëshiron që ta mbushë Evropën me refugjatë ukrainas duke i sulmuar qendrat energjetike dhe pjesët e tjera të infrastrukturës.

Zelensky u tha udhëheqësve të Grupit G7 se mbrojtja e objekteve energjetike të Ukrainës nga raketat ruse dhe dronët iranianë “do të jetë mbrojtje e tërë Evropës, pasi Rusia, me këto sulme, është duke nxitur një katastrofë humanitare dhe të emigrimit jo vetëm për Ukrainën, por edhe për tërë BE-në”.

Lajme të ngjashme