Zelensky e viziton Ishullin e Gjarprit, ku ukrainasit ia dhanë përgjigjen e famshme rusëve
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar Ishullin e Gjarprit, i cili është bërë simbol i rezistencës së Ukrainës, kur lufta po hyn në ditën e 500-të.
Në fillim të luftës, ushtarët ukrainas që po e mbronin Ishullin e Gjarprit, e kishin refuzuar në mënyrë epike urdhrin e një luftanije ruse për t’u dorëzuar.
Ishulli i vogël në Detin e Zi ishte marrë nga rusët, por më vonë u kthye përsëri nën kontrollin e forcave ukrainase, raporton televizioni BBC.
Në një video, Zelensky e quajti këtë ishull “vend të fitores” që nuk do të ripushtohet kurrë më.
Presidenti ukrainas e përshkroi ishullin e famshëm si dëshmi që Ukraina do të rikthejë çdo centimetër të territorit të saj që është marrë nga Rusia që nga fillimi i luftës.
“Dua që ta falënderoj nga këtu, nga ky vend i fitores, secilin prej ushtarëve tanë për këto 500 ditë”- tha Zelensky në video, ku ai shihet duke arritur në ishull përmes një barke dhe duke vendosur lule në një përmendore.
Vitin e kaluar, disa orë pas fillimit të luftës, luftanija ruse “Moskva” lundroi drejt Ishullit të Gjarprit dhe i urdhëroi ushtarët ukrainas që ndodheshin në atë copë toke që të dorëzoheshin.
“Ju sugjerojmë që t’i ulni armët dhe të dorëzoheni për t’i shmangur gjakderdhjen dhe pasojat e panevojshme në njerëz. Përndryshe, do të bombardoheni”- u kishte thënë një oficer rus ushtarëve ukrainas.
Përgjigjja e ushtarëve ukrainas dhe komunikimi mes tyre ishte përhapur shumë në internet, kur një ushtar i tha luftanijes ruse që të shkonte në djall – edhe pse me shprehje shumë më të ashpra.
Ishulli i Gjarprit ishte marrë nën kontroll nga rusët dhe ushtarët ukrainas ishin burgosur, por më vonë ishin shkëmbyer me disa robër rusë. Forcat ukrainase e rimorën nën kontroll ishullin në qershorin e vitit të kaluar.

