Zelensky beson se Ukraina do ta rimarrë kontrollin e Krimesë - NACIONALE

Zelensky beson se Ukraina do ta rimarrë kontrollin e Krimesë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se beson që vendi i tij do ta rimarrë kontrollin në Gadishullin e Krimesë, i aneksuar nga Rusia që nga viti 2014, dhe e falënderoi Turqinë për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“I jam mirënjohës Turqisë për përkrahjen e integritetit territorial dhe sovranitetit tonë”- tha Zelensky në një konferencë të përbashkët për gazetarë në Stamboll me homologun turk, Rexhep Erdogan, të shtunën herët, raporton televizioni CNN.

“Biseduam për situatën në Krime që Rusia ende në mënyrë të paligjshme e kontrollon dhe e përdor si bazë për kërcënime e rrezik. Në çfarëdo rasti, ne do ta rivendosim kontrollin tonë në Krime”- shtoi presidenti ukrainas.

Konteksti

Krimea u aneksua nga Rusia në vitin 2014 dhe shërben si bazë e Flotës ruse të Detit të Zi, që ndodhet në Sevastopol. Gadishulli ka shërbyer si vendnisje për fillimin e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, kur trupat ruse kishin hyrë në pjesën tjetër jugore të Ukrainës nga Krimea.

Kur Rusia e kishte kompletuar aneksimin e Krimesë përmes një referendumi, i cili është kritikuar nga Ukraina dhe shumica e botës, duke u cilësuar si jolegjitim, atë kohë ky veprim konsiderohej si grabitja më e madhe e sipërfaqes së një shteti në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Gjatë luftës, ushtria ukrainase ka kryer sulme në Krime me dy qëllime: që ta lodhë Flotën ruse të Detit të Zi dhe t’i pengojë linjat jetike të furnizimit të forcave ruse.

Lajme të ngjashme