Zelensky bën thirrje për përforcim të frontit lindor kundër avancimeve ruse - NACIONALE

Zelensky bën thirrje për përforcim të frontit lindor kundër avancimeve ruse

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të martën bëri thirrje për përforcim të konsiderueshëm të sektorëve në vijën 1000-kilometërshe të frontit në lindje të vendit, ku forcat ruse kanë shënuar fitore të vazhdueshme muajve të fundit.

Zelensky e bëri apelin e tij në kohën kur Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se trupat e saj kishin kapur dy fshatra të reja të vijës së frontit – një në rajonin e Donetskut, ku është fokusi kryesor i luftës, një tjetër në rajonin jugor Zaporizhia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti ukrainas foli në adresimin e tij tradicional të mbrëmjes pas një diskutimi me komandantin e ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi. Sipas tij, shumë varet nga ofrimi me kohë i armatimit jetik nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

“Drejtimet e Donetskut kërkojnë përforcim të konsiderueshëm. Kjo në veçanti e përfshin furnizimin me armë nga partnerët tanë. Është marrëdhënie e drejtpërdrejtë: sa më të mëdha fuqia e zjarrit dhe kapacitetet teknologjike të ushtrisë sonë, aq më shumë mund ta shkatërrojmë potencialin sulmues të Rusisë dhe ta mbrojmë jetën e ushtarëve tanë” – tha Zelensky.

Sipas tij, çelësi është që të fuqizohen kapacitetet e Ukrainës për sulme me rreze të gjatë, pjesërisht duke e forcuar prodhimin vendës të armëve.

Shtetet e Bashkuara, dhurueset më të mëdha të ndihmës ushtarake për Ukrainën, e njoftuan pakon më të re të armëve për Kievin të hënën. Vlera e kësaj pakoje u tha se është rreth 725 milionë dollarë. Megjithatë, Ukraina është e shqetësuar për ndihmat ushtarake amerikane në të ardhmen, pasi presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është zotuar se do t’i javë fund shpejt luftës.

Analistët dhe blogerët e luftës thonë se forcat ruse në lindje të Ukrainës janë duke avancuar me ritmin më të shpejtë që nga ditët e hershme të luftës më 2022.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse kishin kryer 38 sulme afër Kurakhove-s, por nuk u përmend Romanivka. Shtabi nuk tha asgjë as për rënien e pretenduar të Novodarivka-s në duart e rusëve, por e përmendi fshatin si njërën nga zonat që po sulmohej nga rusët.

Përmes një shkrimi në rrjetin “Telegram”, Zelensky e citoi komandantin e ushtrisë të ketë thënë se kushtet janë të vështira përreth vendbanimeve Kurakhove dhe Pokrovsk, një shënjestër tjetër e avancimit rus më në veri./Nacionale

Lajme të ngjashme