Zbulohet një shifër masive e shpenzimeve të Kinës vetëm për ushtrime në Paqësor - NACIONALE

Zbulohet një shifër masive e shpenzimeve të Kinës vetëm për ushtrime në Paqësor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kina shpenzoi rreth 15 miliardë dollarë ose 7 për qind të buxhetit të vet të mbrojtjes vetëm për ushtrime në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor vitin e kaluar, sipas një vlerësimi tajvanez të papublikuar më parë, duke e shfaqur investimin e Pekinit në aktivitete ushtarake përreth Tajvanit dhe fqinjëve.

Hulumtimi i brendshëm nga forcat e armatosura të Tajvanit, i analizuar nga agjencia “Reuters”, ofron një pamje të rrallë të një pjese të shpenzimeve të Kinës në fushën e mbrojtjes, përderisa Pekini e ka shtuar praninë ushtarake në kohën e tensioneve në rritje në rajon, raporton agjencia “Reuters”.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe kurrë nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll ishullin që ka qeverisje demokratike, pavarësisht nga ankesat e fuqishme të Tajvanit. Pekini gjithashtu është përfshirë në mosmarrëveshje me disa shtete për sovranitetin e pjesëve të mëdha të Detit Jugor të Kinës dhe Detit Lindor të Kinës.

“Kjo e zbulon logjikën e ndarjes së burimeve të tyre. Ata po shpenzojnë një shumë të madhe të burimeve në përpjekje për ta siguruar kontrollin e perëndimit të Zinxhirit të Parë Ishullor” – tha një zyrtar i lartë tajvanez me njohuri për hulumtimin.

Ky zyrtar dhe dy persona të tjerë me njohuri për studimin refuzuan që të identifikoheshin për këtë artikull për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Zinxhiri i Parë Ishullor është një grup arkipelagësh që shtrihet nga Indonezia në një hark deri te Japonia, duke i përfshirë Detin Jugor të Kinës dhe Detin Lindor të Kinës.

Në një deklaratë për agjencinë “Reuters”, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit refuzoi që t’i komentonte shifrat.

“Por investimi i pamasë ushtarak i Partisë Komuniste të Kinës në vitet e fundit vërtet ka një ndikim negativ në paqen dhe stabilitetin në rajon, që nuk është i favorshëm për mirëqenien dhe zhvillimin global” – thuhet në deklaratë./Nacionale

Lajme të ngjashme