Zbulohet një procedurë e re që mund të ulë vdekjet nga kanceri i mushkërive - NACIONALE

Zbulohet një procedurë e re që mund të ulë vdekjet nga kanceri i mushkërive

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shkencëtarët kanë identifikuar një procedurë të re që mund të ndihmojë në zbulimin dhe trajtimin e hershëm të kancerit të mushkërive.

Sipas The Independent, studimi ka zbuluar se nivelet kryesore të një proteine që gjendet në tumore - e quajtur TLR2, mund të ndihmojë në parashikimin e shanseve të mbijetesës së një pacienti pas diagnostikimit me kancer në mushkëri.

Për të konfirmuar se pacientët me nivele të larta të këtyre proteinave në fazat e hershme të kancerit i kanë shanset për mbijetesë më të mëdha se sa ata që kanë nivele të ula të tyre, studiuesit kanë përdorur mostra të tumorit njerëzor te minjtë, duke përdorur një medikamentoz që aktivizonte TLR2, nga ku edhe ishte zbuluar ngadalësimi i rritjes së tumorit në faza të hershme të sëmundjes.

E sipas ekspertëve ky rezultat mund të ndihmojë në zbulimin më të shpejtë të sëmundjes dhe përmirësimin e rezultateve për pacientët, marrë parasysh që shkalla e mbijetesës pesëvjeçare nga kanceri i mushkërive në fazën e vonë është vetëm 6 për qind, krahasuar me 50 për qind në rastet kur diagnostikohet më herët.

Hulumtimi i publikuar është bërë në bashkëpunim midis studiuesve nga Universiteti i Edinburgut, Kolegji Universitar i Londrës, Universiteti i Cantabria në Spanjë, Këshilli Kombëtar i Kërkimeve Spanjolle dhe Klinika Mayo në ShBA.

Duke folur për këto zhvillime, Dr Fraser Millar, lektor klinik në mjekësinë e frymëmarrjes në Universitetin e Edinburgut, është shprehur duke thënë se: "Unë mendoj se këto rezultate janë vërtet emocionuese. Dihet shumë pak për biologjinë e kancerit të hershëm të mushkërive dhe, duke e kuptuar më shumë këtë proces, ne kemi identifikuar një trajtim të ri të mundshëm për këtë sëmundje shkatërruese.’

Ai ka shtuar më tej se, “ky projekt nxjerr në pah vlerën e kërkimit shkencor bazë” dhe ka treguar se si kjo mund të përkthehet në trajtime të reja për pacientët.

Studiuesit kanë zbuluar se TLR2 ndihmon në kontrollin e disa mekanizmave mbrojtës të trupit kur ndodhin mutacione kanceroze në qeliza. Është bërë e ditur se kjo proteinë është e lidhur me plakjen, një proces ku qelizat ndalojnë së rrituri dhe sekretojnë një sërë kimikatesh dhe proteinash të tjera të cilat së bashku veprojnë si sinjale paralajmëruese dhe mbrojtëse kundër kancerit.

Lajme të ngjashme