Pas vaksinës anti-Covid, BioNtech sjell shpresë edhe për një kundër kancerit
Çifti që qëndron pas vaksinës Pfizer/BioNtech për Covid-19, thotë se bota mund të jetë vetëm disa vite larg një vaksine kundër kancerit.
Duke folur për BBC-në, dyshja është shprehur se, “një kurë për kancerin është në dorën tonë”.
"Ne mendojmë se një kurë për kancerin ose për të ndryshuar jetën e pacientëve me kancer është në dorën tonë," ka thënë Prof. Ozlem Tureci, ndërsa bashkëshorti i saj, Ugur Sahin, me të cilin edhe ka bashkëthemeluar kompaninë farmaceutike gjermane BioNTech, u shpreh se, ai mendonte se vaksinat e kancerit mund të jenë gjerësisht të disponueshme "para vitit 2030".
Kompania BioNtech, ishte themeluar nga çifiti në vitin 2018, fillimisht për zhvillim dhe prodhim të trajtimeve për imunoterapinë e individualizuar të kancerit, duke përdorur teknologjinë mRNA. Por, pas shpërthimit të pandemisë Covid-19, dyshja e përshtatën teknologjinë për të krijuar një nga vaksinat e para dhe më efektive kundër virusit.
Dy shkencëtarët kanë punuar për dekada në zbulimin e një vaksine kundër kancerit.
“Që nga fillimi, fokusi ynë ka qenë gjithmonë në shfrytëzimin e potencialit të plotë të sistemit imunitar të trupit për të ndihmuar me sukses në trajtimin e kancerit dhe sëmundjeve infektive”, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.
E në intervistën e fundit, ata shpjeguan se përvoja e tyre në zhvillimin e vaksinës kundër Covid mund të ndihmojë në përshpejtimin e punës së tyre për një vaksinë kundër kancerit. Ata shpresojnë se teknologjia mRNA, mund të çojë në trajtime të reja për melanomën, kancerin e zorrëve dhe lloje të tjera të tumorit.
Duke shpjeguar se, teknologjia mRNA, funksionon duke dërguar një instruksion ose plan te qelizat për të prodhuar një antigjen ose proteinë, shkencëtarë thonë se, në Covid ky antigjen është pjesë e proteinës së virusit, ndërsa në kancer do të ishte një shënues në sipërfaqen e qelizave tumorale.
Deri në pandemi, përdorimi i fuqisë së mRNA për prodhim të vaksinave ishte i paprovuar, por me suksesin e arritur në pandemi, shkencëtarët janë inkurajuar që të punojnë me tej me këtë teknologji edhe për një kurë ndaj kancerit.
Sipas tyre, provat e mRNA për kancer kanë treguar disa sinjale të hershme inkurajuese.
"Çdo hap, çdo pacient që trajtojmë në provat tona të kancerit na ndihmon të zbulojmë më shumë rreth sëmundjes dhe trajtimit," është shprehur Prof. Tureci.
Megjithatë, ata thanë se, “duhet shumë kujdes, pasi shumë prova premtuese të kancerit përfundojnë me dështim” dhe se mund të kalojnë disa vite para se të dihet nëse trajtimet e BioNTech për kancerin e zorrëve, melanomën dhe llojet e tjera të tumorit do të përmbushin pritshmëritë.
