Zbulohet një korridor i fshehur në Piramidën e Madhe të Gizës - NACIONALE

Zbulohet një korridor i fshehur në Piramidën e Madhe të Gizës

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Zyrtarët egjiptianë të antikiteteve kanë njoftuar se është zbuluar një korridor nëntë metër i gjatë, i fshehur afër hyrjes së Piramidës së Madhe 4,500 vjeçare të Gizës, duke thënë se zbulimi mund të çojë në gjetje të mëtejshme.

Zbulimi brenda piramidës, e fundit nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë që ende qëndron në këmbë, është bërë në kuadër të projektit Scan Pyramids që që nga viti 2015 ka përdorur teknologji jo-invazive duke përfshirë termografinë infra të kuqe, simulimet 3D dhe imazhet me rreze kozmike për të parë brenda strukturës.

Një artikull i botuar në revistën Nature, ka thënë se zbulimi mund të kontribuojë në njohuritë në lidhje me ndërtimin e piramidës dhe qëllimin e një strukture gëlqerore që ndodhet përballë korridorit.

Kujtojmë se Piramida e Madhe është ndërtuar si një varr monumental rreth vitit 2560 para Krishtit gjatë mbretërimit të faraonit Khufu, ose Keopsit. Fillimisht ishte ndërtuar në një lartësi prej 146 metrash, ndërsa ajo tani qëndron në 139 metra dhe ishte struktura më e lartë e bërë nga njerëzit deri në Kullën Eifel në Paris në 1889.

Arkeologët kanë thënë se, tuneli i zbuluar nën tempullin egjiptian mund të çojë në varrin e Kleopatrës.

Mostafa Waziri, kreu i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, ka thënë se ky korridor i papërfunduar ka të ngjarë të jetë krijuar për të rishpërndarë peshën e piramidës ose rreth hyrjes kryesore që përdoret tani nga turistët, pothuajse shtatë metra larg, ose rreth një dhome ose hapësirë tjetër ende të pazbuluar.

Shkencëtarët kanë zbuluar korridorin përmes radiografisë muonike me rreze kozmike, përpara se të merrnin imazhe të tij me një endoskop 6 mm të trashë nga Japonia përmes nyjeve të vogla në gurët e piramidës.

Në vitin 2017, studiuesit e Skan Piramidave po ashtu kanë njoftuar zbulimin e një zbrazëtie të paktën 30 metra të gjatë brenda Piramidës së Madhe, struktura e parë e madhe e brendshme e gjetur që nga shekulli i 19-të.

Lajme të ngjashme