Vulin takohet me Lavrov në Rusi, sanksionet e BE-së ndaj Moskës i quan ‘histeri’ - NACIONALE

Vulin takohet me Lavrov në Rusi, sanksionet e BE-së ndaj Moskës i quan ‘histeri’

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në një vizitë të rrallë nga një zyrtar shtetëror nga Evropa në Rusi, ministri i Brendshëm i Serbisë është takuar të hënën në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke theksuar edhe një herë refuzimin e Beogradit për t'iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

Aleksandar Vulin, i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus dhe anti-perëndimor, gjatë takimit të tij me Lavrov ka thënë se, “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Associated Press shkruan se, Serbia, e cila prej vitesh kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është duke u larguar nga rruga e saj drejtë BE-së duke i’u afruar më shumë aleatit tradiconal sllav, Rusisë dhe Kinës.

Brenda vetë qeverisë serbe, Vulin konsiderohet si “njeriu i Moskës”. Ai ka mbrojtur krijimin e “botës serbe” që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Vulin më parë ka thënë se Serbia duhet të braktisë objektivin e saj të anëtarësimit në BE dhe në vend të kësaj t'i drejtohet Moskës. Ai poashtu, shpesh ka sulmuar fqinjët e Serbisë dhe udhëheqësit e tyre, duke i quajtur ata me emra poshtërues.

Ndërkohë, lidhur me vizitën e tij të fundit në Moskë, zyrtarët e opozitës serbe kanë vënë në pikëpyetje qëllimin e tij, ndërsa qeveria e re serbe - e shumëpritur pas zgjedhjeve të përgjithshme të prillit, është gati të formohet.

Shumë besojnë se udhëtimi i tij në Rusi është organizuar nga Moska si një mënyrë për t'i bërë presion Beogradit për ta përfshirë atë në kabinetin e ri.

Kujtojmë se në qershor edhe ministry i Jashtëm rus Sergej Lavrov kishte planifikuar të vizitonte Beogradin, por fqinjët në NATO të Serbisë kanë refuzuar të lejojnë avionin e tij të fluturojë mbi territorin e tyre.

E lidhur me udhëtimin e dështuar të Lavrov, në një deklaratë të dhënë nga Moska, Vulin tha se ai “ndjen keqardhje të thellë për faktin që ministri rus u pengua të vizitojë Beogradin në qershor nga vullneti i vendeve të tjera,” duke theksuar se me ndalimin e kësaj vizite “janë shkelur të gjitha parimet e së drejtës ndërkombëtare”.

Lajme të ngjashme