Vuçiq dhe Dodik ‘kërcënojnë’ me një aleancë ushtarake me Hungarinë
Duke intensifikuar bashkëpunimin me Hungarinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpreh dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak.
Pas Vuçiqit, edhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, paralajmëroi se ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.
Zyrtarët hungarezë nuk i kanë komentuar këto qëllime të Beogradit dhe Banjallukës, ndonëse Hungaria është tashmë anëtare e një aleance ushtarake, NATO-s.
“Këtu askush nuk i kushtoi vëmendje kësaj çështjeje, prandaj mund të përfundojmë se kjo është më tepër një çështje e zemrës për regjimin në Beograd, sesa për atë në Budapest”, vlerësoi për REL-in gazetari nga Budapesti, Gabor Bodis.
Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për qëndrimin e tyre rreth krijimit të mundshëm të një aleance ushtarake apo të sigurisë, për të cilën flasin Vuçiqi dhe Dodiku.
As NATO-ja nuk u përgjigj ndaj kësaj pyetjeje të REL-it /REL