Vriten tre ushtarë izraelitë në Gaza
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan të dielën për vdekjen e tre ushtarëve që ishin vrarë gjatë luftimeve në pjesën veriore të Rripit të Gazës të shtunën, ndërsa zyrtarë të kontrolluar nga Hamasi në enklavën palestineze pretenduan se dhjetëra njerëz ishin vrarë ose ishin plagosur nga sulmi ajror izraelit në një ndërtesë.
Tre ushtarët e vrarë u identifikuan si Rreshter i Klasës së Parë Idan Keinan, 21 vjeç, nga Ramat-Gani; Kapiten Yogev Pazy, 22 vjeç, nga Giv’ot-Bari; dhe Rreshter Stafi Noam Eitan, 21 vjeç, nga Hadera, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Të tre ishin pjesë e Batalionit “Nahshon” të Brigadës “Kfir”.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, Keinani u vra nga zjarri i snajperëve të shtunën në Beit Lahiya, në veri të Gazës.
Pazy dhe Eitani u vranë të dielën në mëngjes gjatë shkëmbimit të zjarrit me operativë të Hamasit, gjithashtu në zonën Beit Lahiya. Një ushtar tjetër u lëndua seriozisht në incidentin e njëjtë, tha ushtria izraelite.
Vdekja e tyre e çoi në 378 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit dhe gjatë operacioneve në kufi.
Pazy ishte nipi i ish-komandantit të ushtrisë izraelite dhe ish-ministrit vëzhgues në kabinetin e luftës, Gadi Eisenkot.
Djali i Eisenkotit, Gal Meir Eisenkot, ishte vrarë gjatë luftimeve në Gaza në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar./Nacionale