Vrasja e Khashoggit, ShBA i jep imunitet liderit saudit Mohammed bin Salman - NACIONALE

Vrasja e Khashoggit, ShBA i jep imunitet liderit saudit Mohammed bin Salman

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar se lideri de fakto i Arabisë Saudite - Princi i Kurorës Mohammed bin Salman - ka imunitet nga një padi e ngritur ndaj tij nga e fejuara e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi.

Khashoggi, një kritik i shquar saudit, u vra në tetor 2018, në konsullatën saudite në Stamboll.

Fillimisht inteligjenca amerikane, tha se besonte se vrasja e Khashoggit ishte urdhëruar nga Princi Mohammed. Megjithatë, tani Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se ai ka imunitet për shkak të rolit të tij të ri si kryeministër saudit.

Pas këtij vendimi, ish e fejuara e gazetarit, Hatice Cengiz e cila e kishte akuzuar liderin saudit dhe zyrtarët e tij se kishin "rrëmbyer, lidhur, droguar, torturuar dhe vrarë gazetarin rezident në ShBA dhe avokatin e demokracisë Jamal Khashoggi", ka reaguar e zhgënjyer duke shkruar në Twitter se, Sot Jamali vdiq përsëri”.

Princi Mohammed u emërua princ i kurorës nga babai i tij, Mbreti Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vitin 2017. Më pas në shtator të këtij viti, 37-vjeçarit iu dorëzua roli i kryeministrit.

Vetë bin Salman, ka mohuar çdo rol në vrasjen e Khashoggit, ndërsa sot edhe avokatët e Departamentit të Drejtësisë treguan se si "kreu i një qeverie të huaj, princi i kurorës gëzon imunitetin e kreut të shtetit nga juridiksioni i gjykatave amerikane si rezultat i asaj zyre".

"Doktrina e imunitetit të kreut të shtetit është e vendosur mirë në të drejtën zakonore ndërkombëtare," thanë ata. Megjithatë, administrata Biden ishte e prirur të theksonte se vendimi nuk ishte një përcaktim i pafajësisë.

"Ky është një përcaktim ligjor i bërë nga Departamenti i Shtetit sipas parimeve të vjetra dhe të vendosura mirë të së drejtës zakonore ndërkombëtare," është shprehur një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë duke shtuar se, “nuk ka të bëjë fare me themelin e çështjes”.

Vrasja e Khashoggit në 2018, shkaktoi një bujë globale duke dëmtuar imazhin e Princit Mohammed dhe vendit të tij. Ajo çoi gjithashtu në një tensionim të madh në marrëdhëniet ShBA-Arabi Saudite.

Lajme të ngjashme