Katër vjet pas vrasjes së Khashoggi-t, sulmet ndaj lirisë së shtypit po përkeqësohen - NACIONALE

Katër vjet pas vrasjes së Khashoggi-t, sulmet ndaj lirisë së shtypit po përkeqësohen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në katërvjetorin e vrasjes së Jamal Khashoggi-it, ne duhet të kërkojmë llogaridhënie nga Arabia Saudite, më me zë se kurrë më parë, por duhet edhe t’i denoncojmë, siç do të bënte Khashoggi, sulmet kundër lirisë së shtypit në shumë shtete, që vazhdojnë pa u pakësuar – dhe shpesh pa u vërejtur.

David Ignatius, "The Washington Post"

Kolumnja e fundit e Khashoggi-t, e pranuar nga “The Washington Post”-i në ditën që ai u zhduk, ishte për nevojën për të shprehurit e lirë, jo vetëm në Arabinë Saudite, por kudo ku autoritetet mundohen që t’i shtypin dhe t’i frikësojnë gazetarët. Ai bëri thirrje për “një version modern të medieve të vjetra transnacionale në mënyrë që qytetarët të mund të informohen për ngjarjet globale”. Sa të drejtë që kishte. Ky është një problem global dhe po përkeqësohet.

Pas vrasjes së Khashoggi-t, shumë qeveri u munduan të pretendonin se ishin mike të medieve duke i denoncuar sauditët që e vranë atë. Ata e mbështollën veten me mantelin e martirizimit të tij. Sidoqoftë, këta udhëheqës duhet të japin llogari për krimet e vendeve të tyre kundër medieve, gjithashtu – njësoj siç kërkojmë drejtësi nga princi Mohammed bin Salman i Arabisë Saudite, i cili e autorizoi operacionin që çoi te vdekja e Khashoggi-it.

Sulmi global ndaj gazetarëve është një fakt i përhapur i jetës moderne. Sipas të dhënave të përpiluara nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, 1.455 gazetarë janë vrarë në botë nga viti 1992; 1.979 janë burgosur; 69 janë zhdukur. Edhe pse i sulmojnë gazetarët, shumë nga këto shtete pretendojnë përkrahje për normat e Kombeve të Bashkuara dhe ofrojnë zotime për të drejtat e njeriut.

Lart në listën e hipokrizive ndaj medieve, fatkeqësisht, është Turqia – vendi ku Khashoggi u vra. Turqia bëri një shou të ndjekjes penale të vrasjes, përfshirë mirëpritjen e pronarit të gazetës “The Washington Post”, Jeff Bezos, në Stamboll më 2019 për ta shënuar përvjetorin e parë të vrasjes së Khashoggi-t. Prokurorët turq ishin yje të dokumentarëve për këtë rast, por Turqia e hodhi poshtë ndjekjen penale këtë vit, kur kjo gjë u bë e papërshtatshme në aspektin politik, pasi presidenti Rexhep Erdogan vendosi që t’i përmirësonte raportet me princin saudit.

Edhe ashtu, Turqia ishte mbrojtëse posaçërisht jo e pritshme e lirisë së shtypit, duke e marrë parasysh gjendjen e keqe në shtëpi. Që nga viti 1992, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 378 gazetarë në Turqi janë vrarë, janë burgosur ose janë zhdukur.

Irani është një shtet tjetër që në mënyrë të pamëshirshme i shtyp gazetarët dhe vazhdon tutje me këtë. Nga 170 gazetarët që janë vrarë, burgosur ose zhdukur në Iran nga viti 1992, raporton Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, 112 janë burgosur për komente të pretenduara “kundër shtetit” dhe 13 të tjerë për “fyerje fetare” të pretenduara. Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini, pasi u arrestua për dyshimin se i kishte shkelur rregullat për vendosjen e mbulesës së kokës, ka nxitur protesta mbarëkombëtare. Reagimi i Iranit përderisa u mundua t’i rrihte protestuesit deri në nënshtrim: ndalje e internetit dhe shtypje e diskutimit publik.

Irani është njëri nga shumë shtetet ku tregimi i të vërtetës mund të dërgojë një gazetar në burg. Në gazetën “The Washington Post”, ne e kujtojmë burgosjen e tmerrshme për 544 ditë të kolegut tonë, Jason Rezaian. Ai tash është zë udhëheqës në fushatën për liri të shtypit kudo.

Zemërimi global ndaj princit saudit për vrasjen e Khashoggi-t ka qenë frymëzues, por duke u përqendruar tek ai, ne nuk duhet t’i lëmë anash vendet e tjera që e fyejnë lirinë e shtypit. Në listën e turpit përfshihen Kina, ku 229 gazetarë janë vrarë ose janë burgosur ose janë zhdukur nga viti 1992; Etiopia, me 134 sulme të tilla; Egjipti, me 11; Rusia, me 97; Meksika, me 85, sipas llogaritjes së Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Liria e shtypit është e pandashme. Është një e drejtë themelore e njeriut. Gazetarët e ShBA-së kanë hise në sigurinë e kolegëve të tyre në Arabi Saudite, Turqi e Kinë, sepse ne të gjithë jetojmë në botën e njëjtë të informacionit. Lajmet dhe komentet duhet të lëvizin aq lirshëm përreth planetit sa ajri dhe uji. Këtë e besonte Khashoggi; për këtë vdiq.

Të shkruarit e Khashoggi-t na sjell ndër mend se tregimi i të vërtetës ka ndikim, edhe kur duket si kauzë e humbur. Kur Khashoggi guxoi që të fliste si kontribuues i “Post”-it për një vend që historikisht i ka shtypur gazetarët, ai u bë zë i fuqishëm. Kur vazhdoi që ta tregonte të vërtetën, edhe kur u kërcënua në atdhe, ai u bë hero dhe përfundimisht martir.

Khashoggi shkroi në shkrimin e fundit se bota arabe është duke u ballafaquar me “një Perde të Hekurt, të vendosur jo nga aktorët e jashtëm, por përmes forcave të brendshme në rivalitet për pushtet”. Miqtë e këshilluan që të mos i jepte kaq shumë fuqi, të bënte kompromis me princin, të pranonte kufizime ndaj vetë lirisë së tij të të shprehurit.

Por Khashoggi nuk e bëri këtë. Ai u fut në konsullatën saudite në Stamboll para katër viteve, i vendosur për ta shkruar të vërtetën ashtu siç e shihte ai dhe për t’i mbajtur përgjegjës për gënjeshtrat e tyre njerëzit e fuqishëm. Vdekja e tij nxiti zemërim ndaj princit saudit dhe regjimit vrasës saudit. Por Jamal-i ishte i pari që na tregoi se liria e shtypit është problem global – dhe se treguesit e të vërtetës kudo kanë nevojë për përkrahjen tonë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme