Vrasja e 10 personave në Nju York: I akuzuari lidhet me urrejtjen e përhapur në internet
Adoleshenti i Nju Jorkut i akuzuar për vrasjen e 10 personave në një supermarket në Buffalo të shtunën pasdite në një "krim urrejtjeje me motive racore" duket se para sulmit kishte kaluar muaj duke hedhur teori konspirative raciste në faqet e mediave sociale.
Sipas Daily Beast, zyrtarët e zbatimit të ligjit e kanë emëruar të armatosurin e dyshuar si 18-vjeçarin Payton Gendron, nga Conklin, Nju Jork dhe gjithashtu kanë konfirmuar se Gnendron e ka transmetuar drejtpërdrejt një pjesë nga sulmi.
Pamjet nga transmetimi i drejtpërdrejtë, i postuar në platformën video Twitch, shfaqin një burrë të veshur me veshje ushtarake duke filmuar nga një kamerë e montuar në helmetë përpara se të dilte nga makina me një pushkë, mbi të cilën dukej se kishte pikturuar sharje raciste.
Një zëdhënës i Twitch konfirmoi për The Daily Beast se të shtënat janë transmetuar drejtpërdrejt në platformë nga një person me emrin e përdoruesit "jimboboiii". Nga kompania thanë se ata po "monitoronin fuqishëm" për të mbyllur çdo ritransmetim të pamjeve të tmerrshme.
Ndërsa, edhe një person që përdorte të njejtin emër në mediat sociale, si llogaria e Gendron's në Twitch, kishte ndarë komente raciste dhe antisemitike në Reddit dhe Discord në muajt para sulmit.
Përveç kësaj, një dokument i mbushur me urrejtje që u shfaq në internet menjëherë pas sulmit ishte shkruar me emrin Payton Gendron dhe përmbante një zotim për të synuar Buffalo-n për shkak të popullsisë së tij të madhe me ngjyrë.
Ai kishte shkruar se do të synonte në mënyrë specifike njerëzit me ngjyrë, brenda dhe jashtë dyqanit Tops, i cili u përmend me emër dhe vendndodhje.
Dokumenti përshkruante gjithashtu planet për të vrarë një roje sigurie të armatosur në detyrë dhe përfshinte një skicë të papërpunuar të dyqanit, ku autori priste që roja të qëndronte brenda. Ai parashikonte një përleshje me armë dhe përshkruante sesi autori planifikonte të mbrohej nga të shtënat me parzmore.
Shkrimi gjithashtu e mbështeste dhe vlerësonte rastin në Christchurch, Zelandë të Re, ku një person vrau 51 njerëz në dy xhami dhe duke iu referuar vrasjeve masive të vitit 2019, ai e kishte cilësuar dorasin në Christchurch, si “personi që më radikalizoi më së shumti”. Shkrimtari i këtij dokumenti, lavdëronte në mënyrë specifike obsesionin e të armatosurit me teorinë e konspiracionit "Zëvendësimi i Madh", një fantazi raciste rreth një komploti të supozuar për të eliminuar njerëzit e bardhë.
Kështu që duket se vrasësi i Buffalo, ka ndjekur gjurmët e personave të armatosur famëkeq supremacistë të bardhë si ata në masakrat e vitit 2019 në El Paso, Teksas; Poway, Kaliforni; dhe sulmi i vitit 2018 në një sinagogë të Pitsburgut.
Dokumenti përfshinte edhe disa detaje biografike, duke theksuar se autori jetonte me dy vëllezërit dhe prindërit e tij. Një fqinj i familjes së Gendron tha për Daily Beast se 18-vjeçari ka dy vëllezër.
Burime nga forcat e rendit kanë thënë se po hetojnë një lidhje të mundshme, por dokumenti nuk mund të vërtetohej në orët pas masakrës. Ndërsa, nuk është e qartë nëse versioni që qarkullonte në internet mund të ishte ndryshuar nga dikush.
Një person që përdorte një llogari në emrin "Jimbo Boiii", kishte postuar gjithashtu një përmbledhje në internet për një dyqan pengjesh pranë qytetit të lindjes së Gendron, i cili është tre orë me makinë nga Buffalo. Dyqani reklamonte blerjen dhe shitjen e monedhave, një temë si në llogarinë Reddit ashtu edhe në dokumentin e supozuar. Shkrimtari i këtij dokumenti e përshkruante grumbullimin e copave të arit dhe argjendit si një mënyrë për të kundërshtuar qeveritë kombëtare që shtypin para letre dhe popullin hebre që ai imagjinonte se i kontrollonte ato.
Një përdorues tjetër i quajtur "Jimboboiii" gjithashtu kishte kërkuar këshilla në internet për armaturën e trupit dhe municionet që mund ta mposhtnin atë, sipas kolektivit të medias jofitimprurëse Unicorn Riot.
Pas të shtënave të së shtunës, guvernatori i Nju Jorkut, Kathy Hochul, kritikoi mediat sociale për lejimin e të armatosurit të përhapte pikëpamjet e tij.
"Platformat e mediave sociale që përfitojnë nga ekzistenca e tyre duhet të jenë përgjegjëse për monitorimin... Ato në njëfarë kuptimi mund të bëhen bashkëpunëtorë, nëse jo ligjërisht por moralisht," u tha ajo gazetarëve.
Në një konferencë shtypi në mbrëmje, zyrtarët e Buffalo thanë se nuk kishte asnjë kontakt të njohur midis forcave të zbatimit të ligjit dhe Gendron dhe se ata nuk kishin marrë asnjë paralajmërim për sulmin.
Megjithatë, The Buffalo News, duke cituar një zyrtar qeveritar, tha se ndërsa Gendron ishte në shkollë të mesme, ai kishte bërë komente për sulmin në një ceremoni diplomimi e më pas atij i ishte referuar këshillim për shëndetin mendor.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Gendron ishte regjistruar në SUNY Broome Community College, por nuk ishte menjëherë e qartë se sa kohë studioi atje, dhe një zëdhënëse e shkollës e përshkroi atë si një "ish-nxënës".