Vizita e raportuar e Zelenskyt në ShBA, vjen reagimi i Rusisë
Kremlini tha të mërkurën se janë duke u bërë përgatitje për bisedime në nivel ekspertësh mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për ta pasuar takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar dhe një telefonatë të mëhershme mes presidentëve Vladimir Putin e Donald Trump.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëri theksoi se ekziston mirëkuptimi se Trumpi dhe Putini duhet të takohen fizikisht pas përgatitjeve të plota, por shtoi se ende nuk ka hollësi rreth asaj se kur dhe ku do të ndodhë një gjë e tillë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas Peskovit, dy presidentët mund të bisedojnë përsëri përmes telefonit, nëse ka nevojë, por se tani për tani nuk ka plane për një komunikim të këtij lloji.
“Janë duke u përgatitur kontakte në nivel ekspertësh përmes ministrive të punëve të jashtme” – tha zëdhënësi rus, pa ofruar hollësi.
Peskovi iu referua edhe raporteve se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do ta vizitojë Trumpin të premten në ShBA.
“Nëse kjo (vizitë) do të jetë (për ta nënshkruar) marrëveshjen e lartpërmendur ose për diçka tjetër, do të shohim. Nuk ka pasur deklarata zyrtare për këtë çështje akoma” – tha ai.
Një burim i afërt me përmbajtjen e draft-marrëveshjes për mineralet mes ShBA-së e Ukrainës i tha agjencisë “Reuters” të martën se në të nuk saktësohet ndonjë garanci e sigurisë nga ShBA-ja apo rrjedhja e vazhdueshme e armëve, por thuhet se Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina të jetë “e lirë, sovrane dhe e sigurt”.
Trumpi e ka shprehur dëshirën për të siguruar armëpushim në luftën mes Rusisë e Ukrainës sa më shpejt që është e mundshme. Lëvizjet e tij të shpejta për riparimin e marrëdhënieve me Moskën, duke e përmbysur politikën e administratës së kaluar amerikane të ish-presidentit Joe Biden, kanë shkaktuar frikë në Kiev dhe tek aleatët evropianë se ata mund të lihen anash.
Putini këtë javë i zbuti pritjet për një marrëveshje të shpejtë rreth Ukrainës, duke thënë se kontaktet ShBA – Rusi fillimisht do të jenë të përqendruara në rindërtimin e besimit mes Moskës e Uashingtonit.
Peskovi refuzoi të komentonte rreth raportimeve për arritjen e një marrëveshjeje mes Ukrainës e Shteteve të Bashkuara për mineralet ukrainase, për të cilën Trumpi tha se do t’ua mundësojë taksapaguesve amerikanë rikthimin e parave që Uashingtoni ia ka dhuruar Kievit gjatë rrjedhës së luftës./Nacionale/Nasuf Abdyli