Vetëm se nuk e ka vendosur shaminë mirë, gruaja në Iran rrahet për vdekje
Një tjetër rast i dhunës ndaj grave po shkakton zemërim.
Policia iraniane thuhet se ka rrahur një 22-vjeçare sepse ajo nuk e mbante siç duhet shaminë! Gruaja në fund vdiq nga rrahja e policisë.
Gruaja Mahsa Amini u arrestua të martën nga rojet e regjimit mullah për "shpjegime dhe udhëzime" mbi kodin e veshjes, sipas llogarisë zyrtare. Policia e Iranit zbaton kode strikte të veshjes për gratë, duke përfshirë edhe kërkesën për shaminë e kokës.
Por çfarë ndodhi pas arrestimit? Në rrjetet sociale raportohet se Amini është goditur në kokë nga policia teksa protestonte për arrestimin e saj. Goditjet do të kishin çuar në një hemorragji cerebrale.

"Papritur një problem me zemrën"
Autoritetet e kundërshtojnë me forcë këtë deklaratë. Policia e Teheranit tha se Amini "papritur pati një problem në zemër" dhe u dërgua "menjëherë në spital me mbështetjen e policisë dhe shërbimeve të urgjencës".
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur dy orë pasi ajo u arrestua. Vëllai i saj Kiaresch tha për faqen e internetit Iran Wire se zyrtarët iranianë kishin raportuar se motra e tij pësoi një krizë epileptike dhe një atak në zemër.
Deputetët kërkojnë publikimin e videove të policisë
Të premten u bë e ditur se Amini ka ndërruar jetë. Një anëtar i familjes tha për portalin iranian online Etemad. Zyra e prokurorit publik në Teheran njoftoi një hetim. Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi udhëzoi Ministrinë e Brendshme të hetojë rastin.
Ngjarja është diskutuar edhe në Kuvend. Disa deputetë kërkuan publikimin e videove të policisë për të sqaruar çështjen. Ish-presidenti Mohammad Chatami shprehu gjithashtu kritika. /Nacionale/