Vërshime masive në Sri-Lankë, 69 njerëz të vdekur e 34 të zhdukur
Ushtarët në Sri-Lankë po mundohen që të shpëtojnë qindra njerëz të ngujuar nga uji i vërshimeve të premten, përderisa numri i të vdekurve nga shkaqe të lidhura me motin shkoi në 69. Përpos tyre, 34 njerëz janë shpallur të zhdukur.
Operacionet e shpëtimit u kryen me helikopterë e barka të forcave detare, duke marrë njerëz nga majat e drurëve, kulmeve si dhe nga fshatrat e bllokuara nga vërshimet, raporton gazeta “The Guardian”.
Qendra për Menaxhimin e Katastrofave (DMC) tha se numri i viktimave u rrit me zbulimin e më shumë trupave në rajonin qendror që është prekur më së shumti dhe ku shumica e të vdekurve ishin varrosur për së gjalli nga rrëshqitja e dheut këtë javë.
DMC-ja tha se reshjet po vazhdonin në mbarë ishullin dhe në disa rajone kishin rënë 360 milimetra shi në 24 orët e fundit. Lumi Kelani, i cili derdhet në Oqeanin Indian afër kryeqytetit Kolombo, doli nga shtrati të premten.
Të paktën 3.000 shtëpi janë dëmtuar nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut dhe mbi 18.000 njerëz janë vendosur përkohësisht në strehimore të përkohshme. Në distriktin Anuradhapura në veri, një helikopter shpëtoi një burrë që ishte ngjitur në majën e një druri kokosi për ta shmangur ujin e vërshimeve.
DMC-ja tha se parashikohen më shumë reshje, ndërsa cikloni “Ditwah” me gjasë do të tërhiqet nga veriu dhe do të lëvizë në jug drejt shtetit indian, Tamil Nady, deri të dielën.
Kryeministri indian, Narendra Modi, shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve në Sri-Lankë dhe gatishmëri për të ofruar asistencë.
Zyrtarët e DMC-së thanë se prisnin që niveli i vërshimeve të ishte më i rëndë se në vitin 2016, kur në mbarë vendin e kishin humbur jetën 71 persona./Nacionale