Vdes njëra nga dy turistet e sulmuara nga një burrë afër Kështjellës Neuschwanstein në Gjermani - NACIONALE

Vdes njëra nga dy turistet e sulmuara nga një burrë afër Kështjellës Neuschwanstein në Gjermani

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëra nga dy turistet e sulmuara nga një burrë afër Kështjellës Neuschwanstein në jug të Gjermanisë ka vdekur, raportuan të enjten mediet lokale duke i cituar prokurorët shtetërorë.

Një grua 21-vjeçare vdiq në një spital gjatë natës, ndërsa shoqëruesja e saj 22-vjeçare ndodhej ende në spital me lëndime serioze, raportoi transmetuesi publik BR, duke cituar një zëdhënës të prokurorëve shtetërorë në Kempten.

Televizioni BR e citoi këtë zëdhënës të ketë thënë se një person i dyshuar është arrestuar. Prokurorët shtetërorë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment, raporton agjencia “Reuters”.

Prokurorët citohen të kenë thënë se gratë vrapuan drejt një burri mbi një urë me pamje nga kështjella e famshme dhe se ai i çoi ato drejt një shtegu.

BR-ja raportoi se më pas pasoi një përleshje, pasi burri e sulmoi seksualisht 21-vjeçaren. Kur 22-vjeçarja ndërhyri, burri e shtrëngoi atë në fyt dhe e hodhi 50 metra në një luginë, thuhet në raportim.

Ai më pas e shtrëngoi në fyt edhe 21-vjeçaren dhe e shtyu edhe atë, raportoi televizioni BR.

I dyshuari u kap pas një operacioni masiv policor me përfshirjen e 25 automjeteve emergjente të mërkurën pasdite dhe u dërgua në një stacion policor në Fuessen, thuhet më tej.

Lajme të ngjashme