Vazhdon zjarri afër Athinës, shihet rrezik për vatra të reja
Zjarrfikësit grekë, të mbështetur nga aeroplanët, luftuan kundër një zjarri që po përhapet afër Athinës të mërkurën për ditën e dytë rresht. Autoritetet thonë se vapa dhe era e fortë mund të nxitin zjarre të reja në vendin ku 20 persona tashmë kanë vdekur nga flaka.
Qindra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në pjesë të ndryshme të vendit që nga shpërthimi i zjarreve në pjesën veriore të Greqisë të shtunën, të nxitura nga era e fortë në valën e dytë të madhe të vapës në vend. Zjarrfikësit thanë se disa zjarre ishin duke e prekur territorin kryesor kontinental të vendit, raporton agjencia "Reuters".
“Kushtet mbeten të vështira dhe në disa raste, ekstreme. Të gjitha forcat e Mbrojtjes Civile mbeten në gjendje gatishmërie dhe janë duke i luftuar zjarret”- tha zëdhënësi i zjarrfikësve, Ioanis Artopios.
Ai tha se 202 zjarrfikës, të mbështetur nga vullnetarët, bashkë me 65 automjete e 15 aeroplanë, disa të dërguar nga Suedia e Gjermania, luftuan kundër zjarrit rreth 20 kilometra në veri të Athinës, afër fshatit Fyli.
Kryeqyteti grek është prekur nga tymi dhe hiri që nga shpërthimi i këtij zjarri të martën. Të mërkurën, flaka ishte përhapur drejt qytezës Menidi, ku rreth 150 persona u evakuuan me autobus nga tri shtëpi kujdesi dhe u dërguan në hotele ose në qendra të tjera të kujdesit.
“E mbajtën zjarrin larg shtëpive. Fatkeqësisht, era nuk po ndihmon aspak”- tha Stathis Topalidis, nënkryetar i qytezës Menidi, duke e përshkruar operacionin e evakuimit.
Të martën, ekipet e shpëtimit gjetën 18 trupa të djegur, që besohet se ishim imigrantë, në një zonë afër pyllit Dadia, jo shumë larg kufirit me Turqinë, rrugë e zakonshme për njerëzit nga Lindja e Mesme dhe pjesë të tjera të Azisë, që mundohen të hyjnë në territorin e Bashkimit Evropian.

