Zjarri përhapet afër një qyteti grek, evakuohen pacientët nga spitali
Dhjetëra pacientë janë larguar nga një spital në pjesën verilindore të Greqisë, përderisa zjarri në natyrë po përhapet jashtë kontrolli për ditën e katërt afër qytetit Alexandroupolis.
Flaka iu afrua terrenit të spitalit universitar dhe shumë prej të evakuuarve u dërguar në një traget në portin e afërt të qytetit, raporton televizioni BBC.
Në mesin e atyre që u zhvendosën kishte foshnja të porsalindura dhe pacientë në kujdes intensiv.
Alexandroupolisi, port i rëndësishëm grek afër kufirit me Turqinë, është njëri nga disa rajonet greke që po ballafaqohen me zjarre në natyrë, të nxitura nga era e fuqishme dhe temperaturat që të martën pritet të arrijnë në 39 gradë Celsius.
Zjarre ka edhe në pjesë të tjera të vendit, në ishullin Evia dhe në Boeotia të pjesës qendrore të Greqisë, ku banorët e disa fshatrave janë evakuuar.
Zyrtarët grekë urdhëruan një grumbull autoambulancash e autobusësh që të largonin rreth 115 pacientë nga spitali universitar në skajin verilindor të qytetit.
Në raportime thuhet se flaka arriti në terrenin e spitalit gjatë zhvillimit të operacionit dhe se spitali u mbulua nga një re e dendur tymi e hiri.
Përderisa disa prej pacientëve u dërguan në spitale të tjera të qytetit, rreth 90 u vendosën në një traget.
Gjatë natës, banorëve në tetë fshatra iu tha që të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shkonin në vende të sigurta në Alexandroupolis.
Franca, Qiproja dhe Rumania kanë dërguar ekipe përforcuese për t’i ndihmuar zjarrfikësit grekë.
Muajin e kaluar, mijëra njerëz u detyruan që të iknin nga zjarri në ishullin Rodes.
