Vazhdon ofensiva diplomatike e Kinës, ofron ndërmjetësim për bisedime Izrael – Palestinë - NACIONALE

Vazhdon ofensiva diplomatike e Kinës, ofron ndërmjetësim për bisedime Izrael – Palestinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, u ka thënë homologëve të tij nga Izraeli e Palestina se vendi i tij është i gatshëm që ta ndihmojë lehtësimin e bisedimeve të paqes mes tyre, raportuan mediet shtetërore.

Bisedat e veçanta telefonike mes kryediplomatit kinez dhe homologëve të tij Izrael e palestinez vijnë pas lëvizjeve të fundit të Pekinit për ta pozicionuar veten si ndërmjetësues rajonal, raporton gazeta “The Guardian”.

Ministri kinez i inkurajoi palët për të bërë hapa për rifillimin e bisedimeve të paqes dhe tha se Kina është e gatshme që të ofrojë përshtatshmëri për këtë. Ai i bëri këto komente në një telefonatë me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Eli Cohen, raporton agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua”.

Në bisedën e tij me homologun palestinez, Riyad Al-Maliki, ministri kinez raportohet të ketë thënë se Pekini e përkrah rifillimin e bisedimeve sa më shpejt që është e mundshme.

Në të dyja bisedat telefonike, ai e theksoi shtytjen e Kinës për bisedime të paqes mbi bazën e zbatimit të një zgjidhjeje me dy shtete, raportoi agjencia kineze.

Këto biseda u zhvilluan në kohë me tensione në rritje në Izrael. Përleshjet në xhaminë “Al-Aqsa” këtë muaj në Jerusalem nxitën reagime nga vendet arabe. Arabia Saudite, me të cilën Izraeli shpreson që t’i normalizojë marrëdhëniet, tha se “mësymja” e Izraelit në xhaminë “Al-Aqsa” i minon përpjekjet për paqe.

Raportohet se Gang-u i ka thënë homologut izraelit se Kina është e shqetësuar për tensionin e tanishëm mes Izraelit dhe Palestinës dhe se prioriteti kryesor i tanishëm është që situata të vihet nën kontroll dhe të parandalohet eskalimi i konfliktit ose dalja e tij nga kontrolli.

Kina ka filluar një ofensivë diplomatike rishtazi, duke ndërmjetësuar në mars për rivendosjen e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Iranit –rivalë në një rajon ku Shtetet e Bashkuara me dekada kanë qenë ndërmjetësueset kryesore diplomatike.

Në shkurt, Pekini paraqiti një plan për arritjen e paqes në Ukrainë pas bisedimeve mes presidentëve të Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping e Vladimir Putin.

Lajme të ngjashme