Vazhdojnë zjarret afër Athinës, vdes në person
Një person ka vdekur, përderisa zjarret në natyrë vazhduan që të përhapeshin të hënën në periferi të kryeqytetit grek, Athinë.
Trupi i viktimës, që besohet të ishte i një gruaje, u gjet brenda një dyqani në qytezën Vrilissia, në veri të Athinës, i tha televizionit BBC një burim nga shërbimi i zjarrfikësve.
Mijëra njerëz janë evakuuar, pasi zjarrfikësit paralajmëruan se shtëpi, biznese e shkolla ishin në rrezik, ndërsa zjarret pritej që të vazhdonin edhe të martën.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Vassilos Vathrakogiannis, tha se përderisa nuk kishte më një front të vetëm aktiv të zjarrit në rajonin Attica, ku përfshihen pjesë të Athinës, ende kishte “shumë flakë aktive të lokalizuara”, kryesisht përreth qytezave Marathon dhe Penteli.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën në mbrëmje, ai shtoi se kushtet për zjarre të reja mbeteshin të rrezikshme jo vetëm për të martën, por edhe për pjesën tjetër të kësaj jave.
Më shumë se 700 zjarrfikës, 199 automjete kundër zjarrit dhe 35 aeroplanë e helikopterë për hedhje të ujit janë përfshirë në përpjekjet për t’i fikur zjarret, të cilat fillimisht nisën të dielën pasdite rreth 35 kilometra në veri të Athinës.
Northern suburbs of Athens Greece:
— Rita Otis🥀 (@rita_otis) August 12, 2024
Catastrophic wild fires, burning since yesterday afternoon, with no end in sight, due to the strong winds!
Credit: forecast weather. gr pic.twitter.com/reTUbTFHSF
Zëdhënësi i zjarrfikësve tha se dy zjarrfikës kishin pranuar trajtim kundër djegieve që i kishin pësuar gjatë luftës me flakët.
Zyrtarët thanë se zjarret shpërthyen në 40 vende të ndryshme të hënën dhe se në disa vende lartësia e flakës arriti deri në 25 metra.
Në skena të pashembullta, njerëzit në Athinë vendosën maska në fytyrë për ta mbrojtur veten nga tymi, i cili e përfshiu qytetin.
Aeroplanët e helikopterët u detyruan që të aterronin me rënien e errësirës të hënën, por operacionet tokësore vazhduan tërë natën.
Vëzhguesi Kombëtar Grek tha të hënën në mbrëmje se pamjet satelitore tregonin që, deri në mesditë sipas kohës lokale, zjarret tashmë kishin prekur rreth 405 kilometra katrorë tokë.
Flaka përfshiu edhe një fabrikë të lëndëve të drurit dhe në disa zona u dëgjuan shpërthime, me gjasë nga cisternat me naftë dhe cilindrat e gazit nëpër shtëpi.
Pavarësisht nga rreziku, disa banorë të qytezës Penteli vendosën që të qëndronin afër shtëpive të tyre dhe u munduan që të fiknin zjarre të vogla duke përdorur zorrë uji ose degë drurësh.
Disa vende evropiane kanë njoftuar për ofrimin e asistencës për Greqinë, pasi autoritetet e aktivizuan mekanizimin e përbashkët të BE-së për mbrojtje civile. Italia do të ofrojë dy aeroplanë, ndërsa Franca dhe Serbia nga një helikopter secila, tha zëdhënësi i zjarrfikësve./Nacionale