Vazhdojnë trazirat me mbi 660 të arrestuar në Francë, Macroni thërret takim të ri të krizave
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të udhëheqë një tjetër takim krizash të ministrave të premten, përderisa autoritetet po mundohen që ta kufizojnë eskalimin e kryengritjeve që janë përhapur në qytete të ndryshme të vendit pas vrasjes së një adoleshenti nga policia.
Zyrtarët thanë se të paktën 667 persona janë arrestuar në Francë deri të premten herët në mëngjes, pasi kryengritja u zhvendos nga lagjet në qendrat e qyteteve dhe qytezave gjatë natës së tretë të trazirave, të nxitura nga vrasja e një djali 17-vjeçar me prejardhje algjeriane e marokene nga policia gjatë ndaljes në trafik, raporton gazeta “The Guardian”.
Fishekzjarrë dhe predha u hodhën në drejtim të policisë, kontejnerëve dhe autobusëve iu vu flaka në pjesë të ndryshme të vendit. Në disa qyteza, ndërtesat komunale u goditën. Trazira pati në Dijon dhe në disa qyteza në Burgundy, përleshje në qendër të qytetit Marsej në jug dhe përreth qytetit Lille në veri. Protesta pati edhe në Rennes e Lyon, ndërsa përleshje mes protestuesve e policisë pati edhe në disa pjesë të Parisit, ku pati djegie të kontejnerëve të mbeturinave dhe plaçkitje të dyqaneve.
Në Nanterre, ku Naheli 17-vjeçar u qëllua për vdekje nga një polic, përleshjet vazhduan natën. Të paktën tri qyteza përreth Parisit, përfshirë Clamart-in, Compiegne-n dhe Neuilly-sur-Marne-në, vendosën orë policore të plotë ose të pjesshme gjatë natës, përderisa në të dhënat e inteligjencës së policisë, që rrodhën në mediet franceze, parashikohet “dhunë e përhapur urbane gjatë netëve të ardhshme”.
Një avokat i policit të akuzuar për vrasjen e adoleshentit në Nanterre, në periferi të Parisit, tha se ai i kishte ofruar kërkim-falje familjes së të riut. “Fjalët e para që i tha, ishin se i vinte keq dhe fjalët e fundit që i tha, ishte se i vinte keq para familjes. Ai është i shkatërruar, ai nuk zgjohet në mëngjes për të vrarë njerëz”- tha avokati Laurent-Franck Lienard, duke iu referuar policit të akuzuar për vrasje.
Sipas avokatit, polici e kishte marrë në shënjestër këmbën e adoleshentit, por ishte goditur, duke shkrepur në drejtim të gjoksit të drejtuesit të veturës. “Ai duhej të ndalej, por qartazi (polici) nuk donte që ta vriste drejtuesin”- tha avokati, duke shtuar se mbajtja e klientit të tij në ndalim po përdorej për t’i qetësuar protestuesit.

