Vazhdojnë mrekullitë, dhjetëra të shpëtuar në Turqi pas më shumë se 100 orëve nën rrënoja
Ndërsa kanë kaluar më shumë se 100 orë që kur tërmetet goditën Turqinë jugore në fillim të kësaj jave, përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar ende me shumë të mbijetuar të nxjerrë nga rrënojat.
Në Gaziantep, nën rrënojat e një ndërtese është shpëtuar pas 107 orësh një grua, ndërsa dy orë më parë ishin shpëtuar edhe dy persona, mes tyre një fëmijë.
Rreth 104 orë pas tërmetit, është shpëtuar nga rrënojat në Kahramanmaras, një adoleshente siriane 14-vjeçare e quajtur Fatma.
Gjithashtu në Kahramanmaras, ku ishte edhe epiqendra e tërmeteve është nxjerrë nga rrënojat pas 105 orësh një 38-vjeçar.
Pas më shumë se 108 orësh, nga rrënojat është nxjerrë edhe një 31-vjeçar me origjinë siriane.
Ekipet e shpëtimit në Kahramanmaras e kanë shpëtuar të gjallë edhe një 35-vjeçar, rreth 103 orë pas katastrofoës.
Në provincën e Hatay, pas më shumë 107 orëve poshtë rrënojave janë shpëtuar edhe dy persona.
Në po të njejtin vend, zjarrfikësit kanë nxjerrë nga rrënojat pas 108 orëve një nënë me tre fëmijët e saj.
Në orën e 105-të të tërmetit që goditi Turqinë, një foshnjë dhe vëllai i tij shtatëvjeçar janë shpëtuar nga rrënojat në provincën e Kahramanmaras.
Në provincën Adiyaman, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë gjithashtu 54-vjeçarin Mehmet Ayhan Erden 105 orë pas tërmetit.
Një ekip shpëtimi nga Kina ka shpëtuar një grua në Malatya pas 105 orësh.
Gjashtëdhjetë vjeçari Eyup Ak, është nxjerrë nga një ndërtesë e shembur në Adiyaman pas 104 orësh.
Ekipet turke kanë shpëtuar të premten edhe 66-vjeçarin Murat Vural në provincën e Gaziantep, 103 orë pas tërmetit të parë. Vural ishte nxjerrë pas 10 orësh punë nga anëtarët e Ekipit Kombëtar të Shpëtimit Mjekësor (UMKE) dhe policia.
Përveç personave të lartëpërmendur, është raportuar edhe për dhjetëra të tjerë të shpëtuar pas më shumë se 100 orësh nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti me magnitudë 7.8 dhe 7.5 që goditi në Kahramanmaras, duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

