Vazhdojnë luftimet në kryeqytetin e Sudanit, shkon në 270 numri i të vdekurve - NACIONALE

Vazhdojnë luftimet në kryeqytetin e Sudanit, shkon në 270 numri i të vdekurve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mijëra banorë të kryeqytetit sudanez, Khartoum, kanë ikur nga shtëpitë e tyre, pasi luftimet po vazhdojnë për ditën e pestë radhazi mes ushtrisë dhe forcave paramilitare. Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, si duket, nuk po respektohet.

Bombardimet e vazhdueshme, të shtënat me armë automatike dhe shpërthimet e fuqishme e drodhën kryeqytetin e Sudanit që nga fillimi i ditës të mërkurën. Luftimet janë të përqendruara përreth kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në aeroport.

Tymi i dendur u pa duke u ngritur në qiell mbi qytetin binjak të Khartoumit, Omdurman, ku luftimet në rrugë vazhduan përreth ndërtesës së televizionit shtetëror, raporton gazeta “The Guardian”.

Armëpushimi mes ushtrisë dhe Forcave për Mbështetje të Shpejtë, i cili erdhi pas presionit të fuqive të huaja, përfshirë ShBA-në, do të duhej t’u mundësonte banorëve të ngujuar nga luftimet lehtësim dhe qasje në furnizime shumë të nevojshme. Megjithatë, armëpushimi dështoi në minutat e para të martën në mbrëmje. Palët e akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes.

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, tha të mërkurën që të paktën 270 njerëz janë vrarë dhe mbi 2.600 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftimeve, pa dhënë hollësi se sa prej tyre ishin civilë e sa luftëtarë.

Sipas sindikatës së mjekëve të Sudanit, vdekja e 30 civilëve është konfirmuar të martën, edhe se numri i përgjithshëm ka gjasë që të jetë shumë më i lartë. Raportohet edhe për 245 civilë të lënduar.

Dy të tretat e viktimave civile u regjistruan jashtë kryeqytetit, sipas statistikave të reja, duke sinjalizuar se sa shumë luftime janë duke u zhvilluar në rajone të largëta.

Në Nyala të rajonit të Darfurit Jugor, gjashtë persona vdiqën dhe 63 të tjerë u plagosën, pasi një tregu të ushqimit iu vu zjarri dhe zyrat e agjencive të ndihmave u plaçkitën. Në al-Fashir, në Darfurin Verior, nëntë njerëz vdiqën dhe 36 të tjerë u lënduan, ndërsa në Zalingei, në Darfurin Qendror, pesë persona vdiqën dhe 60 u plagosën.

Që nga fillimi i luftimeve të shtunën, secila palë ka pretenduar se ka nën kontroll zona të rëndësishme ose që ka bërë avancim në bazat e palës tjetër. Asnjëri pretendim nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Lajme të ngjashme