Blinkeni thotë se një autokolonë diplomatike e ShBA-së është sulmuar në Sudan
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka thënë se një autokolonë diplomatike amerikane është sulmuar në Sudan të hënën, por se askush nuk është lënduar.
“Ky veprim ishte i pamatur, ishte i papërgjegjshëm dhe, natyrisht, i pasigurt”- tha ai para gazetarëve në Japoni pas bisedimeve të Grupit G7, raporton televizioni BBC.
Më herët, është raportuar se ambasadori i BE-së në Sudan, Aidan O’Hara, është sulmuar në shtëpinë e tij në kryeqytetin Khartoum.
Rreth 185 persona janë vrarë dhe mbi 1.800 të tjerë janë lënduar gjatë luftimeve për tri ditë në Sudan, sipas Kombeve të Bashkuara. Në kryeqytet ka pasur sulme ajrore, bombardime me predha e të shtëna me armë të vogla.
Edhe ushtria, edhe grupi paramilitar i quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë pretendojnë se kanë nën kontroll zona kyçe në Khartoum, ku banorët janë strehuar për shkak të shpërthimeve.
O’Hara nuk është lënduar seriozisht, konfirmoi ministri i Jashtëm i Irlandës, Michael Martin. Ai e përshkroi sulmin si “shkelje trashanike të detyrimeve për t’i mbrojtur diplomatët”.
Më herët, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se siguria e objekteve diplomatike është përgjegjësi parësore e autoriteteve sudaneze.
