Vazhdojnë luftimet Izrael – Hamas, raportohet për gati 200 të vrarë për 24 orë në Gaza
Zjarri i ashpër nga tanket dhe bombardimet ajrore izraelite e goditën qytetin Khan Younis në Rripin e Gazës të premten në mbrëmje, thanë banorët, pasi u raportua për gati 200 njerëz të vrarë për 24 orë në fushatën e Izraelit kundër militantëve të Hamasit.
Aeroplanët izraelitë kryen një varg sulmesh ajrore edhe në kampin “Nuseirat” në Gazën qendrore, sipas mjekëve dhe gazetarëve palestinezë, raporton agjencia “Reuters”.
Forcat izraelite kanë qenë duke e goditur Khan Younis-in në përgatitje për një avancim të pritshëm të mëtejmë drejt qytetit kryesor jugor, pjesë të të cilit ato kapën në fillim të dhjetorit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se trupat po arrinin në qendrat e komandës së Hamasit dhe në depot e armëve. Ushtria izraelite tha se kishte shkatërruar një kompleks tunelesh në themelin e njërës nga shtëpitë e udhëheqësit të Hamasit për Gazën, Yahya Sinwar, në qytetin Gaza.
Autoritetet shëndetësore në Gaza thanë se 187 palestinezë janë konfirmuar të vrarë nga sulmet izraelite në periudhën 24-orëshe, duke e çuar në 21 mijë e 507 shifrën e përgjithshme të viktimave – rreth 1 për qind e tërë popullsisë së Gazës. Ka frikë se mijëra trupa të tjerë kanë mbetur nën rrënojat e lagjeve.
Një gazetar palestinez, që punonte për televizionin “Al-Quds TV”, u vra bashkë me disa nga anëtarët e familjes nga një sulm ajror në shtëpinë e tyre në kampin “Nuseirat”, thanë zyrtarë shëndetësorë e disa kolegë gazetarë.
Zyra mediale qeveritare në Gaza thotë se 106 gazetarë palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës izraelite.
Në anën tjetër, Izraeli tha të premten se e kishte lehtësuar hyrjen e vaksinave të mjaftueshme për vaksinimin e gati 1,4 milion njerëzve kundër sëmundjeve si polio, tuberkulozi, hepatiti, tetanosi e meningjiti.