Vapë e madhe: Zjarre në Kroaci, mbyllet Akropolisi në Greqi - NACIONALE

Vapë e madhe: Zjarre në Kroaci, mbyllet Akropolisi në Greqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Akropolisi në Athinë të Greqisë, atraksion me famë botërore, do të jetë i mbyllur për vizitorë gjatë orëve më të nxehta të ditës për t’i mbrojtur njerëzit nga vala e vapës që e ka përfshirë vendin. Në Kroaci u raportua për zjarre të enjten.

Turistëve do t’u ndalohet hyrja në atraksionin më të njohur turistik në Greqi nga ora 12 deri në orën 17. Temperatura në Athinë ka shkuar në 40 gradë ose më shumë, raporton televizioni BBC.

Një pjesë e madhe e Evropës Jugore është duke u ballafaquar me vapë të madhe, ndërsa javën e ardhshme priten temperatura potencialisht rekorde.

Në Greqi ka frikë edhe për rritje të rrezikut për shpërthim të zjarreve në natyrë, sidomos në zonat ku ka erë të fuqishme. Në vitin 2021, kur gjithashtu kishte temperatura jashtëzakonisht të larta, Greqia u ballafaqua me shumë zjarre në natyrë.

Ministria e Kulturës e Greqisë e njoftoi mbylljen e Akropolisit të premten, duke thënë se masa të ngjashme mund të merren edhe të shtunën.

Temperatura pritej të shkonte në 41 gradë në pjesën qendrore të Athinës të premten në mesditë, por Akropolisi ndodhet në një kodër dhe aty është zakonisht më nxehtë.

Njerëzit janë këshilluar që të pijnë të paktën nga dy litra ujë në ditë dhe t’i shmangin kafenë dhe alkoolin, sepse këto pije e dehidratojnë trupin.

Kroaci, të enjten shpërthyen zjarre, duke djegur shtëpi e vetura në të paktën një fshat, Grebastica, në bregdetin dalmat. Zyrtarët thanë të premten në mëngjes se zjarri ishte vënë nën kontroll.

Më herët këtë javë, një burrë në të dyzetat vdiq nga vapa, pasi mbeti pa ndjenja në pjesën veriore të Italisë, ndërsa disa vizitorë në Itali kanë mbetur pa ndjenja nga vala e vapës, përfshirë një burrë britanik pranë Koloseumit në Romë.

Sipas shërbimit evropian për vëzhgimin e klimës, “Copernicus”, muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë që është regjistruar ndonjëherë.

Lajme të ngjashme