Evropa Jugore përfshihet nga vala e vapës, në Itali vdes një punëtor - NACIONALE

Evropa Jugore përfshihet nga vala e vapës, në Itali vdes një punëtor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Temperatura të larta kanë përfshirë pjesë të Evropës Jugore e të pjesës veriperëndimore të Afrikës. Ditëve të ardhshme mund të regjistrohen temperatura rekorde.

Në disa pjesë të Spanjës, Francës, Greqisë, Kroacisë dhe Turqisë, temperatura pritet të shkojë në mbi 40 gradë Celsius, raporton televizioni BBC.

Në Itali, temperatura mund të shkojë deri në 48,8 gradë. Një paralajmërim me ngjyrë të kuqe është lëshuar për dhjetë qytete, përfshirë Romën dhe Firencën.

Të martën, një burrë në të dyzetat vdiq, pasi i humbën ndjenjat në pjesën veriore të Italisë. Mediet italiane raportuan se punëtori 44-vjeçar ishte duke i ngjyrosur vijat e bardha për këmbësorë në qytezën Lodi, afër Milanos, para se t’i humbnin ndjenjat nga vapa. Ai u dërgua në spital, ku më vonë vdiq.

“Po ballafaqohemi me një vapë të padurueshme. Ndoshta është rasti që gjatë orëve më të nxehta të ndërmerren të gjitha masat e dobishme parandaluese që të shmangen tragjeditë si ajo që ndodhi sot në Londi”- shkroi të martën politikani italian, Nicola Fratoianni.

Disa turistë tashmë kanë kolapsuar për shkak të sulmit nga vapa, përfshirë një burrë britanik afër Koloseumit në Romë.

Vala e vapës “Cerberus” – që i është vënë emri nga Shoqata Italiane e Meteorologjisë sipas përbindëshit me tri koka të “Ferrit” të Dante Aligierit – pritet që të sjellë mot ekstrem gjatë ditëve të ardhshme.

Zyra e Meteorologjisë ka thënë se kulmi i vapës do të jetë të premten dhe televizioni BBC ka raportuar se në një pjesë të madhe të Evropës Jugore mund të regjistrohen temperatura mbi 40 gradë.

Vapa ka gjasa që të vazhdojë edhe në fundjavë. Në Pragë të Çekisë, temperatura mund të shkojë deri në 36 gradë të shtunën, sipas BBC-së, edhe pse temperatura mesatare e korrikut atje është 24 gradë.

Në gusht të vitit 2021, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Evropë u shënua në Sicili të Italisë – 48,8 gradë.

Raportohet se mbi 60 mijë njerëz vdiqën në Evropë vitin e kaluar si rezultat i vapës. Ka frikë se vala e vapës mund të shkaktojë edhe shumë viktima të tjera këtë verë.

Lajme të ngjashme