Vance në Izrael: Nëse Hamasi nuk çarmatoset, do të ndodhin gjëra shumë të këqija - NACIONALE

Vance në Izrael: Nëse Hamasi nuk çarmatoset, do të ndodhin gjëra shumë të këqija

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, tha se beson se plani i paqes në Gaza do të zgjasë dhe është i qëndrueshëm, por e përsëriti kërcënimin e presidentit Donald Trump se nëse grupi nuk bashkëpunon, do të shkatërrohet.

“Shumë prej këtyre gjërave janë të vështira, shumë prej këtyre gjërave janë të paparashikueshme. Ende nuk e kemi të formuar forcën ndërkombëtare të sigurisë” – tha numri dy i Shtëpisë së Bardhë, raporton gazeta “The Guardian”.

Në një konferencë për gazetarë në Izrael, Vance e quajti Hamasin “organizatë terroriste” dhe tha se ushtria izraelite “ishte duke e mbrojtur veten” gjatë tërë konfliktit.

Sipas Vance-s, “shumë punë ka mbetur për t’u bërë” dhe se do të nevojitet “kohë e gjatë”. Ai e falënderoi Qeverinë e Izraelit dhe paralajmëroi se, nëse Hamasi nuk çarmatoset, “gjëra shumë të këqija do të ndodhin”.

Sidoqoftë, ai refuzoi që të jepte një afat për çarmatosjen e grupit, duke shtuar: “Nuk mendoj se është në të vërtetë e këshillueshme që kjo duhet të bëhet brenda një jave.”

“Secili ka një rol për të luajtur këtu”, tha Vance, por shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta detyrojnë Izraelin për asgjë, kur bëhet fjalë për vendosjen e trupave në terren. Sipas tij, do të ketë momente kur duket sikur gjërat “nuk po shkojnë veçanërisht mirë” dhe për një gjendje të tillë do të kërkohet vëzhgim.

Vance theksoi se shumë shtete të Gjirit Persik duan që të kenë “marrëdhënie të normalizuara” me Izraelin dhe shtoi se “nëse e bëjmë këtë si duhet..., do të jetë një efekt domino që çon në paqe në mbarë rajonin”.

Sipas tij, presidenti Trump dëshiron që Irani të jetë vend i begatë dhe të ketë marrëdhënie të mira me iranianët, por shtoi se ky vend nuk mund të ketë një armë bërthamore./Nacionale

Lajme të ngjashme