Vajza 4-vjeçare gjendet e vdekur në një veturë të nxehtë në ShBA
Një vajzë 4 vjeçe u shpall e vdekur në Arizona të ShBA-së, pasi u gjet pa vetëdije të dielën në një veturë me temperaturë të lartë brenda saj në qytetin Buckeye, tha policia amerikane.
Anëtarët e familjes iu thanë autoriteteve që ishin kthyer nga një park rreth orës 14:00 të dielën, tha Departamenti i Policisë në Buckeye në një deklaratë të publikuar në rrjete sociale, raporton “ABC News”.
Familja kishte filluar që ta kërkonte vajzën rreth dy orë më vonë dhe e kishte gjetur në automjet, thuhet më tej në deklaratë. Policia tha se u kontaktua rreth orës 17:00.
“Oficerët arritën dhe menjëherë e nisën shtypjen në gjok ndaj vajzës 4-vjeçare dhe u përpoqën që të përdornin një defibrilator para se të arrinin mjekët dhe ta transportonin fëmijën në spital, ku ajo më vonë u shpall e vdekur” – tha policia.
Automjeti ishte i parkuar përballë një shtëpie afër “North 212th Drive” dhe Rrugës “West Granada”, shtoi policia.
Temperatura maksimale afër Aeroportit Komunal të Buckeye-it ishte rreth 38 gradë të dielën, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Policia tha se hetimi për këtë rast është në faza të hershme.