Ushtria ukrainase thotë se forcat ruse kanë shënuar përparim në Bakhmut
Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë shënuar ca sukses në vijën e frontit të qytetit lindor, Bakhmut, por se luftëtarët ukrainas ende po rezistojnë në betejën që u ka shkaktuar humbje të mëdha në njerëz të dyja palëve.
“Forcat e armikut patën një shkallë të suksesit në veprimet e tyre me synim të sulmimit të Bakhmutit”- thuhet në raportin e rregullt të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të publikuar të mërkurën vonë.
“Mbrojtësit tanë po e mbajnë qytetin dhe po zmbrapsin shumë sulme të armikut”- thuhet më tej në raport.
Bakhmuti dhe qytezat përreth tij në rajonin industrial të Donetskut kanë qenë në fokus të sulmeve ruse gjatë një pjese të madhe të luftës së Rusisë ndaj vendit fqinj.
Në jug të Ukrainës, drejtori i agjencisë së OKB-së për energji bërthamore, Rafael Grossi, tha se ka pasur grumbullim të konsiderueshëm të trupave në centralin bërthamor të rajonit të pushtuar nga rusët, Zaporizhia, dhe se objekti nuk mund të mbrohet më, raporton agjencia “Reuters”.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se numri ditor i sulmeve ruse në vijnë e frontit ka rënë për katër javë rresht nga fillimi i marsit, nga 124 në javën e parë të këtij muaji, në 69 në shtatë ditët e fundit. Vetëm 57 sulme u raportuan të mërkurën.
Gazetarët e agjencisë “Reuters” afër vijës së frontit në perëndim të Bakhmutit dhe më në veri gjithashtu raportuan për rënie të dukshme të intensitetit të sulmeve ruse javën e kaluar.
Megjithatë, zyrtarët rusë thonë se forcat e tyre ende janë duke fituar terren gjatë luftimeve rrugë për rrugë brenda Bakhmutit.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë raportimet për fushën e betejës.
Centrali bërthamor në Zaporizhia ishte marrë nën kontroll nga rusët në jaët e para të luftës dhe përpjekjet për pakësimin e luftimeve përreth tij kanë dështuar pavarësisht nga frika për ndonjë katastrofë bërthamore.

