Gjermania ndan edhe 12 miliardë euro shtesë ndihma ushtarake për Ukrainën
Qeveria gjermane është pajtuar që t’i dhurojë Ukrainës përkrahje shtesë ushtarake me vlerë të 12 miliardë eurove.
Komisioni për Buxhet i Bundestagut e dha dritën e gjelbër të mërkurën për këto shpenzime të pabuxhetuara, me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Zyrës së Jashtme, raporton agjencia “Reuters”.
Në fondet shtesë përfshihen 3,2 miliardë euro për t’u ndarë gjatë këtij viti dhe linja kreditore për periudhën 2024 – 2032 me shumë prej rreth 8,8 miliardë eurosh.
“Me këto para, Ukraina mund të blejë drejtpërdrejt armatim me përkrahjen e qeverisë gjermane”- thanë tre politikanë që e përfaqësojnë koalicionin qeveritar në këtë komision.
“Është e rëndësishme që të përkrahet Ukraina aq gjatë sa të jetë e nevojshme”- thuhet në deklaratën e tyre.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, qeveria gjermane ka ndarë më shumë se 14,2 miliardë euro përkrahje për Kievin, sipas Zyrës së Jashtme.
