Prindërit ukrainas po i fshehin fëmijët në bodrume nga frika se do t’ua marrin rusët
Vullnetarët ukrainas, të cilët kanë evakuuar civilë nga vijat e frontit të luftës me Rusinë, thonë se disa prindër i kanë fshehur fëmijët e tyre në bodrume për të mos ua marrë rusët.
Përderisa prindërit kanë dhënë arsye të ndryshme, shumica e vullnetarëve thanë se ky fenomen po ndodh për shkak të kombinimit të varfërisë me gjendjen psikologjike të familjeve, të cilat kanë jetuar nën bombardime për muaj të tërë.
Në fillim të marsit, qeveria ukrainase u dha leje autoriteteve lokale që t’i evakuonin me forcë fëmijët nga qyteti lindor, Bakhmut, ku po zhvillohet njëra nga betejat më të gjata dhe më të përgjakshme të luftës, raporton gazeta “The Guardian”.
Tash për tash, leja për evakuim me forcë vlen vetëm për vendbanimet që janë në rrezik për të rënë nën pushtimin rus. Qeveria ukrainase ka thënë se në këtë rrezik është vetëm qyteti Bakhmut.
Sasha, mjek vullnetar në Bakhmut, tregoi se si civilët e tjerë e njoftojnë atë për vendet po mbahen të fshehur fëmijët.
“Ne e dinim se (fëmija) ishte në këtë vend, prandaj shkuam atje dhe ajo nuk kishte qenë jashtë nga shtatori”- tha ai, duke publikuar një video të një bodrumi labirint, ku po jetonte fëmija. Duart e fëmijës ishin të hirta për shkak të mungesës së dritës së diellit. Nëna e fëmijës tha se ajo kishte frikë që të dilte jashtë dhe se nuk kishte ku të shkonte – shqetësim i reflektuar nga vullnetarët, të cilët thanë se duhet të bëhet më shumë për hartimin e programeve të rivendosjes për civilët.
Civilët në Bakhmut kanë qenë nën sulme që nga fillimi i luftës, por intensiteti është rritur në masë dramatike muajve të fundit. Autoritetet ukrainase thonë se 4 mijë civilë ndodhen ende në qytet. Nuk është e qartë se sa prej tyre janë fëmijë.
Ignatius Ivlev-Yorke, 27 vjeç, ka evakuuar njerëz nga rajoni lindor ukrainas, Donbas, pothuajse përditë nga maji i vitit të kaluar. Ekipi i tij ndërlidhet me grupe të tjera për t’u siguruar që ata që largohen të strehohen në vende të tjera. Videot që ai i publikon në “Instagram” qartazi tregojnë se si është jeta për civilët në zonat e vijës së frontit dhe vetë procesi i evakuimit.
Ivlev-Yorke i ka përshkruar problemet e rënda të shëndetit mendor me të cilat janë ballafaquar shumë njerëz që jetojnë në bodrume në zonat e vijës së frontit. Ata shpesh qëndrojnë disa muaj së bashku pa rrymë, ujë, gaz ose ajër të pastër, përderisa beteja mbi kokat e tyre vazhdon.
Gjatë një vizite në Soledar, qytezë në lindje të Bakhmutit, nga e cila forcat ukrainase u tërhoqën në janar, ai bindi një grua që të evakuohej bashkë me fëmijën e saj. Përderisa vullnetarët po largoheshin me nënën dhe fëmijën, disa prej civilëve që po qëndronin në bodrum e shanë gruan dhe ia dogjën gjësendet.
Ai tha se njerëzit jepnin arsye të shumta për të mos u larguar, nga qëndrimi me ndonjë të afërm të moshuar që nuk mund të ecë, te ndonjë qen nga i cili nuk donin të ndaheshin ose te mosbesimi se për ta do të ketë strehim.
