OKB-ja thotë se fëmijët me nevoja të veçanta po abuzohen në jetimoret e Ukrainës - NACIONALE

OKB-ja thotë se fëmijët me nevoja të veçanta po abuzohen në jetimoret e Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fëmijët me nevoja të veçanta po abuzohen dhe po lihen anash nga institucionet në pjesë të ndryshme të Ukrainës, paralajmëruan ekspertët e Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët për të drejtat e njeriut thanë se lufta e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën dhe i bënë thirrje qeverisë ukrainase që t’i përmirësojë “gabimet historike”.

Deklarata e tyre erdhi pas një hulumtimi të BBC-së, me të cilin u zbulua abuzim i gjerë në jetimoret e vendit.

Para luftës, në institucione ishin duke jetuar mbi 100.000 fëmijë dhe të rinj. Kur Rusia e futi ushtrinë në Ukrainë në shkurt, mijëra persona me nevoja të veçanta u larguan nga institucionet dhe iu dërguan familjeve.

Ekspertët e OKB-së thonë se fëmijët mbetën pa ndonjë përkrahje të duhur, duke i vënë në rrezik nga abuzimi i mëtutjeshëm, jeta në rrugë ose rreziku për t’u bërë viktima të trafikimit.

Megjithatë, mijëra fëmijë ende po jetojnë në rreth 700 institucione. Edhe pse këto vende quhen jetimore, 90 për qind e personave që jetojnë në to, kanë familje.

Këto janë pasoja të një sistemi të periudhës sovjetike, që i inkurajonte prindërit që fëmijët e tyre me nevoja të veçanta t’ia dorëzonin shtetit.

Ekzistonte dhe ende ekziston besimi nga shumë ukrainas se fëmijët me nevoja të veçanta marrin trajtim më të mirë në institucione se në familje.

Njëri nga ekspertët, Gerard Quinn, raportues i posaçëm i OKB-së për të drejtat e personave me nevoja të veçanta, tha se ky problem e ka përcjellë për një kohë të gjatë luftën dhe se është koha që Ukraina ta shtypë “butonin e rifillimit për të ardhmen”./Nacionale

Lajme të ngjashme