Ushtria izraelite vret disa luftëtarë të Hamasit në fillim të bastisjes së spitalit “Al-Shifa” - NACIONALE

Ushtria izraelite vret disa luftëtarë të Hamasit në fillim të bastisjes së spitalit “Al-Shifa”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtarët izraelitë vranë disa militantë të Hamasit në fillim të një bastisjeje të spitalit “Al-Shifa” në Gaza të mërkurën, ku mijëra civilë palestinezë – përfshirë pacientë, staf mjekësor e persona të zhvendosur – kanë qenë të ngujuar gjatë disa javëve luftime.

Izraeli tha se e nisi bastisjen, sepse Hamasi ka një qendër komande nën këtë spital dhe se ky grup i shfrytëzon tunelet e lidhura mes vete për t’i fshehur operacionet ushtarake e për të mbajtur pengje. Hamasi e mohon këtë, raporton agjencia “Reuters”.

“Para hyrjes në spital, forcat tona u ballafaquan me mjete shpërthyese dhe ekipe terroristësh, luftimet pasuan, në të cilat u vranë terroristë”- tha ushtria izraelite, pa saktësuar se ku ndodhën luftimet.

Radioja Ushtarake e Izraelit tha se pesë militantë ishin vrarë dhe se brenda kompleksit mjekësor ishin gjetur armë.

Thirrjet globale për armëpushim humanitar janë shtuar ditëve të fundit, përderisa spitali “Al-Shifa” është bërë fokus i luftës së Izraelit kundër Hamasit dhe shqetësimet janë shtuar për gjendjen e mijëra njerëzve të ngujuar aty.

Më herët të mërkurën, Dr. Munir al-Bursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në administratën e udhëhequr nga Hamasi në Gaza, tha në televizionin “Al Jazeera” se forcat izraelite e kishin bastisur pjesën perëndimore të kompleksit spitalor dhe besonte se një shpërthim kishte ndodhur brenda spitalit.

Shtetet e Bashkuara thanë të martën se kishin të dhëna të inteligjencës që e përkrahin pretendimin e Izraelit se Hamasi ka qendër komande në spitalin “Al-Shifa”.

Hamasi tha të mërkurën se kjo deklaratë e ShBA-së në thelb e dha “dritën e gjelbër” për Izraelin që ta bastisë spitalin. Grupi shtoi se i mban Izraelin dhe presidentin amerikan, Joe Biden, tërësisht përgjegjës për operacionin.

Lajme të ngjashme