Ushtria amerikane thotë se ka dërguar trupa në Nigeri - NACIONALE

Ushtria amerikane thotë se ka dërguar trupa në Nigeri

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një ekip të vogël të ushtarëve në Nigeri, tha të martën gjenerali që e drejton komandën amerikane për Afrikën.

Kjo është hera e parë që Uashingtoni pranon zyrtarisht se ka forca amerikane në terren në shtetin afrikan që nga sulmi ajror i kryer ditën e Kërshëndellave, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti Donald Trump dha urdhër për sulme ajrore ndaj atyre që i përshkroi si caqe të ISIS-it në Nigeri në dhjetor dhe tha se atje mund të kishte edhe më shumë veprime ushtarake.

Agjencia “Reuters” më herët ka raportuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer fluturime vëzhgimi mbi Nigeri nga Gana nga fundi i nëntorit.

Gjenerali i lartë amerikan tha se ekipi i ushtarëve u dërgua pasi të dyja vendet u pajtuan se duhet të bëhet më shumë për ta luftuar rrezikun nga terrorizmi në Afrikën Perëndimore.

Ai nuk dha hollësi të mëtejme për numrin e trupave apo fushëveprimin e misionit të tyre.

Ministri i Mbrojtjes i Nigerisë, Christopher Musa, konfirmoi se një ekip është duke punuar në vendin e tij, por nuk dha hollësi të tjera.

Një ish-zyrtar amerikan tha se ekipi i ushtarëve të vendit të tij duket se është i përfshirë gjerësisht në mbledhje të të dhënave të inteligjencës dhe në mundësimin e sulmeve nga forcat nigeriane kundër grupeve të lidhura me terroristët.

Nigeria është vënë nën trysni të madhe nga Uashingtoni për të vepruar, pasi presidenti Trump e akuzoi shtetin afrikan se ka dështuar që t’i mbrojë të krishterët nga militantët islamikë që operojnë në pjesën veriperëndimore të vendit./Nacionale

Lajme të ngjashme