Uruguaji e miraton ligjin që e lejon eutanazinë - NACIONALE

Uruguaji e miraton ligjin që e lejon eutanazinë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Uruguaji të mërkurën e legalizoi eutanazinë, duke u bërë njëri nga vendet e para në Amerikën Latine dhe në mesin e pak shteteve në botë që e lejojnë vetëvrasjen e asistuar.

Shteti i vogël i Amerikës së Jugut ka histori të gjatë të miratimit të ligjeve liberale në aspektin social, përfshirë legalizimin e marijuanës, masa që janë miratuar për një kohë të gjatë para vendeve të tjera, raporton “France24”.

Të mërkurën, eutanazia u shtua në listë, pasi Senati e miratoi projektligjin e ashtuquajtur “Vdekja e Asistuar”, duke marrë 20 vota “për” nga gjithsej 31 ligjvënës të pranishëm, duke miratuar një ligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në gusht.

Votimi u bë pas dhjetë orëve debat për këtë çështje, e cila nga disa ligjvënës u cilësua si “më e vështira”.

Diskutimi ishte kryesisht me respekt dhe shpesh emocional, edhe pse disa të pranishëm vëzhgues që po e shikonin debatin bërtitën “vrasës” pas miratimit të ligjit.

Në pjesë të tjera të Amerikës Latine, gjykatat në Kolumbi dhe Ekuador e kanë dekriminalizuar eutanazinë pa miratuar ligje për legalizimin e kësaj praktike, ndërsa Kuba u lejon pacientëve me sëmundje të pashërueshme që ta refuzojnë mbajtjen e gjallë në mënyrë artificiale.

Sipas një sondazhi të realizuar rishtazi, më shumë se 60 për qind e banorëve të Uruguajit e përkrahin eutanazinë, ndërsa vetëm 24 për qind janë kundër./Nacionale

Lajme të ngjashme