Urdhri ekzekutiv i Trumpit: ShBA urdhëron pezullimin e ndihmës ndërkombëtare
Departamenti amerikan i Shtetit, ka urdhëruar ngrirjen e financimeve të reja, sipas urdhrit ekzekutiv që presidenti amerikan Donald Trump, nënshkroi të hënën.
Programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane, zhvillohen kryesisht përmes USAID (Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar).
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u ka dërguar mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën, duke sqaruar zbatimin e urdhrit ekzekutit të presidentit Trump.
Në këtë mesazh, veç tjerash thuhet se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Radio Evropa e Lirë, raporton se ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.
USAID-i ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.