Ukraina thotë se vrau një oficer rus me veturë bombë në Siberi, e akuzonte për krime lufte - NACIONALE

Ukraina thotë se vrau një oficer rus me veturë bombë në Siberi, e akuzonte për krime lufte

10 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Ukraina tha të mërkurën se ka vrarë një oficer rus përgjegjës për krime lufte, duke e vënë në shënjestër me një veturë bombë brenda Rusisë.

Veniamin Mazzherin, i cili vdiq në fundjavë, ishte zëvendëskomandant i një njësiti të policisë ushtarake ruse në Kemerovo, në jugperëndim të Siberisë, sipas Inteligjencës Ukrainase të Mbrojtjes, raporton televizioni CNN.

Njësiti special Garda Ruse, për të cilin ai dha ndihmë që ta drejtonte, dyshohet se ishte përfshirë në “krime lufte dhe gjenocid kundër popullit ukrainas” në Kiev gjatë pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022, tha shërbimi ukrainas i inteligjencës.

Televizioni CNN ka kërkuar komente nga Ministria e Mbrojtjes dhe Garda Kombëtare e Rusisë.

Në një video të publikuar nga shërbimi ukrainas i inteligjencës shihet një person i paidentifikuar duke mbajtur një dorë një teledirixhues, pastaj shihet një veturë në rrugë duke lëvizur, para se të shpërthente në flakë.

Vrasja e raportuar e Mazzherin-it është më e reja në një varg ekzekutimesh të figurave ruse brenda territorit rus, transmeton gazeta "Nacionale".

Në prill, gjenerali Yaroslav Moskalik u vra përmes një shpërthimi të veturës afër Moskës. Autoritetet ruse thanë se kanë ngarkuar me akuzë për terrorizëm “një agjent të shërbimeve speciale ukrainase”, edhe pse Ukraina nuk e kishte marrë përgjegjësinë për incidentin.

Pak muaj para këtij rasti, një gjeneral i lartë rus, i akuzuar për përdorim të armëve kimike në Ukrainë, u vra përmes një bombe të kontrolluar nga largësia, e vendosur në një skuter elektrik jashtë ndërtesës së banimit ku jetonte ai në Moskë. Një burim me njohuri për operacionin i kishte thënë televizionit CNN se shërbimet ukrainase të sigurisë qëndronin prapa vrasjes.

Lajme të ngjashme