Ukraina thotë se këtë vit ka rimarrë mbi 600 kilometra katrorë territor të pushtuar - NACIONALE

Ukraina thotë se këtë vit ka rimarrë mbi 600 kilometra katrorë territor të pushtuar

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase kanë rimarrë nën kontroll më shumë se 600 kilometra katrorë territor deri më tani këtë vit, tha të hënën komandanti i ushtrisë, Oleksandr Syrskyi.

Vetëm në muajin maj, Ukraina rimori 100 kilometra katrorë territor më shumë sesa që humbi, tha Syrksyi në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komandanti nuk saktësoi se në cilat janë ka ndodhur rikthimi i territorit, duke thënë vetëm që në zona të caktuara të vijës së frontit, e gjatë 1.200 kilometra, forcat ukrainase vazhdojnë që ta mbajnë iniciativën.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte thënë muajin e kaluar se vendi i tij kishte rimarrë rreth 600 kilometra katrorë më 2026.

Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që t’i vërtetonte pohimet. Përcaktimi i pavarur i vijave të kontrollit territorial në Ukrainë është i vështirë për shkak të luftimeve me dronë, të cilat kanë krijuar një “zonë të vdekjes” të gjerë përgjatë frontit. Megjithatë, grupet e pavarura që hartojnë harta të fushës së betejës gjithashtu kanë raportuar se avancimet e përgjithshme të Rusisë janë ngadalësuar ose janë kthyer mbrapsht në muajt e fundit, për herë të parë që nga kundërsulmi i dështuar ukrainas më 2023.

Syrskyi tha se forcat ruse akoma po mundohen që të avancojnë në lindje dhe jug të vendit, duke theksuar se numri i përleshjeve ditore në fushën e betejës është rritur në masë të konsiderueshme dhe duke e përshkruar situatën në vijën e frontit si “të vështirë dhe dinamike”.

Sipas tij, zona përreth qytetit lindor të Pokrovskit, të cilin Rusia është munduar ta kapë që nga mesi i vitit 2024, është në mesin e vendeve më intensive të luftimeve.

Harta e pavarur ukrainase për fushëbeteja, “DeepState”, për javë të tëra e ka shfaqur Pokrovskin si të mbajtur plotësisht nga rusët. Rusia pretendoi se e kishte kapur këtë qytet në dhjetorin e vitit të kaluar./Nacionale

Lajme të ngjashme