Ukraina thotë se ka goditur me dron një depo nafte afër Shën Petersburgut të Rusisë - NACIONALE

Ukraina thotë se ka goditur me dron një depo nafte afër Shën Petersburgut të Rusisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përmes një sulmi me dron gjatë natës është goditur një depo nafte afër Shën Petersburgut. Sulmi u krye nga agjencia ukrainase për inteligjencë ushtarake, HUR, raportojnë mediat ukrainase, duke cituar një burim të inteligjencës.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se një dron ukrainas u pengua mbi rajonin e Leningradit, që e rrethon Shën Petersburgun, gjatë orëve të hershme të së enjtes, raporton “Kyiv Independent”.

Në disa kanale ruse në rrjetin “Telegram” u raportua se një dron ishte rrëzuar në territorin e terminalit të naftës në Shën Petersburg, në Gjirin e Finlandës. Thuhet se droni shpërtheu me rastin e kontaktit, duke shkaktuar zjarr.

“Ky është një operacion i Inteligjencës së Mbrojtjes që përfshin asete moderne ukrainase. Mbledhja e të dhënave vazhdon dhe ka sulme të konfirmuara ndaj caqeve”- i tha burimi mediumit ukrainas “Ukrainska Pravda”.

Sulmi me dron dëshmon që “objektet ushtarake në Shën Petersburg dhe në rajonin e Leningradit janë të arritshme për forcat ukrainase”- shtoi burimi.

Ky sulm “nuk është hera e parë” që dronët ukrainas sulmojnë në rajonin e Leningradit, “por ka dallime këtë kohë dhe armiku i ka ndier ato”, shtoi burimi.

Më herët në janar ishte raportuar se disa dronë kishin goditur një depo nafte dhe një operator energjetik në rajonin Oryol dhe për shpërthime ishte raportuar edhe në një hekurudhë në periferi të qytetit Nizhny Tagil, afër Maleve Ural.

Lajme të ngjashme