Ukraina thotë se është në “fazat finale” për marrëveshje me ShBA-në rreth mineraleve - NACIONALE

Ukraina thotë se është në “fazat finale” për marrëveshje me ShBA-në rreth mineraleve

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara janë në fazat e fundit të negocimit të një pakti për minerale që po cilësohet me rëndësi qendrore për t’i dhënë fund luftës trevjeçare me Rusinë, tha të hënën një zyrtar i lartë ukrainas.

“Ekipet ukrainase dhe amerikane janë në fazat e fundit të negocimit në lidhje me marrëveshjen e mineraleve. Bisedimet kanë qenë shumë konstruktive, gati të gjitha hollësitë kyçe janë finalizuar” – shkroi në rrjetin X zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishyna, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne shpresojmë që udhëheqësit e ShBA-së dhe Ukrainës të mund ta nënshkruajnë dhe ta miratojnë atë në Uashington sa më shpejt që ta tregojnë përkushtimin tonë për dekadat në vijim” – shtoi ajo.

Trumpi ka thënë se Ukraina duhet t’u japë Shteteve të Bashkuara 500 miliardë dollarë vlerë të lëndës së parë minerare si shpagim për ndihmat amerikane të cilat Kievi tashmë i ka marrë nga administrata e kaluar e Bidenit, përcjell gazeta "Nacionale".

Zelensky tha këtë javë se ShBA-ja e ka furnizuar vendin e tij me armë në vlerë të 67 miliardë dollarëve dhe me 31,5 miliardë dollarë përkrahje të drejtpërdrejtë buxhetore dhe se ai nuk do t’i njohë si hua ndihmat e dhuruara gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden.

Më herët këtë muaj, presidenti ukrainas refuzoi që të nënshkruante një draft fillestar të marrëveshjes, duke nxitur zemërim në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarët të lartë të Shtëpisë së Bardhë thanë të dielën se ata presin që një marrëveshje të nënshkruhet këtë javë./Nacionale

Lajme të ngjashme