Ukraina thotë se e ka vrarë komandantin e Flotës ruse të Detit të Zi, Viktor Sokolov
Forcat speciale ukrainase thanë të hënën se e kishin vrarë komandantin e Flotës ruse të Detit të Zi, bashkë me 33 oficerë të tjerë, gjatë sulmit me raketa javën e kaluar në selinë qendrore të kësaj flote në Sevastopol të Krimesë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk u përgjigj menjëherë, kur u pyet nga agjencia “Reuters” për ta konfirmuar ose mohuar vdekjen e admiralit Viktor Sokolov, komandant i Flotës së Detit të Zi dhe njëri nga zyrtarët më të lartë të forcave detare ruse.
Megjithatë, autoritetet e instaluara nga Moska ishin duke ndërmarrë masa të posaçme për t’iu kundërvënë sulmeve të shtuara të Ukrainës ndaj Krimesë, rajon kritik që shërben si platformë për Rusinë, pasi nga ai vend janë nisur shumë prej sulmeve ajrore ndaj Ukrainës gjatë luftës, raporton agjencia“Reuters”.
“Pas sulmit ndaj selisë qendrore të Flotës ruse të Detit të Zi, 34 oficerë vdiqën, përfshirë komandantin e Flotës ruse të Detit të Zi. 105 pushtues të tjerë u plagosën. Ndërtesa e selisë qendrore nuk mund të restaurohet”- thanë forcat speciale ukrainase në aplikacionin “Telegram”.
Nuk qe menjëherë e qartë se si forcat speciale të Ukrainës i kishin numëruar të vdekurit dhe të plagosurit nga sulmi. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që ta vërtetojë menjëherë këtë raportim. Secila palë kohë pas kohe i ka zmadhuar humbjet e armikut në luftë dhe tregon pak gjëra për humbjet e veta.
Në një deklaratë pas sulmit, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se një ushtar ishe zhdukur, duke ndryshuar një deklaratë të mëhershme, në të cilën thuhej se një burrë ishte vrarë. Kjo ministri shtoi se mbrojtja ajrore kishte rrëzuar pesë raketa.
Ukraina i ka shtuar sulmet në Detin e Zi dhe në Gadishullin e Krimesë dhe ka filluar që të përdorë raketa, përpos dronëve. Kievi ka thënë se shkatërrimi i Flotës ruse të Detit të Zi do ta përshpejtonte në masë të konsiderueshme përfundimin e luftës.
