Ukraina raporton për sulmin e parë rus me raketa ndaj Kievit që nga gushti - NACIONALE

Ukraina raporton për sulmin e parë rus me raketa ndaj Kievit që nga gushti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shpërthime u dëgjuan në mbarë Kievin të mërkurën në mëngjes, pasi zyrtarët thanë se Rusia e kreu sulmin e saj të parë raketor ndaj kryeqytetit ukrainas që nga muaji gusht, duke detyruar gra të moshuara e fëmijë të vegjël që të strehohen në një stacion nëntokësor të metrosë.

Ukrainasit kanë qenë me muaj duke pritur një sulm të madh me raketa, të brengosur që ai mund të sjellë një goditje të re ndaj sistemit energjetik dhe të shkaktojë ndërprerje të gjata të furnizimit me rrymë në kohën kur dimri po afrohet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sistemet e mbrojtjes ajrore penguan dy raketa me drejtim, dy raketa balistike dhe 37 dronë në mbarë vendin, tha forca ajrore ukrainase. Nuk u raportua për viktima ose dëme të mëdha në Kiev.

“Putini është duke kryer një sulm raketor ndaj Kievit mu tani” – shkroi në rrjetin X drejtori i zyrës presidenciale, Andriy Yermak.

Mbetje ranë në rajonin jashtë Kievit, duke lënduar një burrë 48-vjeçar dhe duke shkaktuar zjarr në një depo, tha drejtori i administratës rajonale të Kievit.

Kievi është ballafaquar me sulme ruse me dronë gati çdo natë me javë të tëra. Kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, tha se një dron ende ishte duke fluturuar mbi pjesën qendrore të Kievit në mëngjes.

“Shpërthime në qytet. Forcat e mbrojtjes ajrore janë duke punuar. Qëndroni në strehimore” – shkroi në rrjetin “Telegram” administrate e qytetit në Kiev.

Lajme të ngjashme