Ukraina raporton për “suksese taktike” gjatë kundërsulmit në jug
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, ka thënë se trupat ukrainase janë të përfshira në lëvizje aktive për ta çuar përpara kundërsulmin në pjesën jugore të vendit, duke pretenduar se janë regjistruar “suksese taktike” në atë pjesë.
“Praktikisht në të gjithë sektorët ku njësitet tona janë duke sulmuar në jug, ato kanë regjistruar suksese taktike. Ato po lëvizin përpara gradualisht. Për momentin, përparimi është deri në dy kilometra në secilin drejtim”- tha ajo.
Forcat ukrainase përreth qytetit të shkatërruar të Bakhmutit, të kapur nga Rusia muajin e kaluar, ishin duke u përpjekur për t’i dëbuar forcat ruse nga pjesët periferike të qytetit, raporton gazeta “The Guardian”.
Rusia nuk i ka pranuar zyrtarisht përparimet ukrainase dhe tha se u ka shkaktuar humbje të rënda forcave të Kievit gjatë 24 orëve të kaluara.
Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i vlerësoi lart zhvillimet e reja, duke thënë se “secili ushtar, secili hap i ri që ne e bëjmë, secili metër i tokës ukrainase i çliruar nga armiku është me rëndësi maksimale”.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi në raportin e ri të inteligjencës se ushtria ruse e ka përforcuar forcën e helikopterëve sulmues, duke thënë se pamjet tregojnë që mbi 20 helikopterë shtesë janë dislokuar në aeroportin e Berdyanksut, përafërsisht 100 kilometra prapa vijës së frontit.
Sipas kësaj ministrie, ka gjasë që Rusia ka shënuar një përparim të përkohshëm në jug të Ukrainës, sidomos me helikopterë sulmues që hedhin raketa me rreze më të gjatë kundër caqeve tokësore.

