Rusia e sulmon Kievin gjatë vizitës së delegacionit afrikan, bie alarmi për sulme ajrore
Kryetari i Kievit, Vitali Klischko, ka thënë se në distriktin Podilsky të kryeqytetit ukrainas ka ndodhur një shpërthim dhe se më shumë raketa janë rrugës.
Përderisa një delegacion i udhëheqësve shtetërorë afrikan arriti në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në qytet dhe në rajon u dëgjuan sirenat e alarmit për sulme ajrore, raporton televizioni BBC.
Sulmet ruse me raketa u shtuan këtë javë në Kiev, në Odesa dhe në vendlindjen e presidentit Zelensky, Kryvyi Rih, duke vrarë disa persona.
Ushtria ukrainase ka thënë se sistemi i mbrojtjes ajrore në kryeqytet është duke funksionuar, por se raketat me saktësi të lartë janë duke fluturuar në lartësi të vogël, duke i bërë ato potencialisht më të vështira për t’u vërejtur.
Olexander Scherba, ish-diplomat ukrainas, shkroi në “Twitter”: “Sirena tani. Putini duke i mirëpritur udhëheqësit afrikanë në Kiev.”
Sirens now. Putin welcoming African leaders in Kyiw.#StandWithUkraine pic.twitter.com/xx9cFqUZmo
— olexander scherba🇺🇦 (@olex_scherba) June 16, 2023
Anëtarët e delegacionit afrikan, pjesë e të cilit janë udhëheqësit shtetërorë të Afrikës Jugore, Egjiptit e Senegalit, pritet të takohen me presidentin Zelensky të premten për të sugjeruar kompromise për arritjen e një marrëveshjeje të paqes. Ata pritet të shkojnë në Shën Petersburg të Rusisë të shtunën.
